Akademikët e Kosovës jashtë projektit, fjalori i madh i Gjuhës Shqipe shkakton debate

Akademikët e Kosovës jashtë projektit, fjalori i madh i Gjuhës Shqipe shkakton debate

Kultura January 17, 2026 - 17:15

Pas 45 vitesh u publikua online fjalori i madh i gjuhës shqipe. Gjuhëtarja Anila Kananaj, njëherësh edhe koordinatorja e projektit, thotë se ai do t’i vijë në ndihmë drejtshkrimit të saktë të gjuhës.

“Presim ndryshim në nivelin e drejtshkrimit në të gjitha nivelet. Në shkollë, në dokumentacion zyrtar, në legjislacion, në media. Ky fjalor do të jetë shumë ndihmues, duke filluar që nga fjalët android, fjala online…”

Fjalori, i cili ka rreth 125 mijë njësi leksikore, mund të përdoret nga të gjithë online.

“Ke të gjitha konceptet e reja që brezi i ri i njeh dhe i përdor. Ke lëvizje masive të popullsisë, bashkë me lëvizjen e popullsisë hyjnë fjalë të reja, koncepte të reja. Ke fjalë të vjela nga dialektet.

Fjala hajgare (shaka), përdoret shumë në Kosovë. Ne përdorim variant tjetër, ama kjo nuk do të thotë që nuk duhet ta fusim si fjalë”.

Por publikimi i këtij fjalori nga Akademia e Shkencave në Shqipëri ka nxitur reagime në Kosovë. Akademikët atje thonë se u lanë jashtë projektit për shkak të parimeve të diskutimit.

“Në Këshillin Ndërakademik ishte paraparë të diskutoheshin çështjet e leksikut. Së pari, pra, do të përcaktoheshin parimet e punës dhe do të zgjidheshin dilemat. Ne, në Akademinë e Kosovës, nuk e kemi parë të arsyeshme të punojmë pa ato parime dhe nuk kemi pranuar të përfshihemi në atë mënyrë”, tha Bardh Rugova.

Për këto rezerva, grupi i punës në Shqipëri thotë se ka bashkëpunuar me Institutin e Albanologjisë në Prishtinë.

“Kemi grup pune atje në Kosovë, të Institutit të Albanologjisë, që ka qenë pjesëmarrës që nga fillimi. Mendimi i tyre nuk ka munguar kurrë në fjalor. Ata na kanë sjellë vazhdimisht pasuri leksikore nga Kosova”, u shpreh Kananaj.

Për 9 muaj fjalori do të jetë i hapur për të marrë sugjerime nga publiku, të cilat do të reflektohen nga grupi i punës. /Tv Klan