Shqiptarja Serena Marku impresionon me këngën e Whitney Houston në “The Voice Kids of Italy” [video]
Serena Marku, 11-vjeçarja shqiptare nga Lezha që jeton në Itali, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u kualifikuar në konkursin prestigjioz “The Voice Kids of Italy”, një nga platformat më të rëndësishme muzikore për fëmijë në Evropë, shkruan KultPlus.
Me një performancë plot energji, siguri dhe karizëm skenike, Serena interpretoi këngën ikonike “I Wanna Dance with Somebody (Who Loves Me)” të legjendës së muzikës botërore Whitney Houston. Interpretimi i saj u prit me entuziazëm të madh, duke i siguruar vlerësime maksimale nga juria profesionale.
Anëtarët e jurisë theksuan se energjia e saj ishte aq e fuqishme sa i ngriti të gjithë në këmbë, ndërsa vlerësuan lirshmërinë në skenë, sigurinë vokale dhe guximin për të zgjedhur një këngë teknikisht shumë të vështirë për moshën e saj.
Në përfundim të audicionit, pavarësisht këmbënguljes së këngëtarit të njohur Nek për ta pasur në skuadrën e tij, Serena zgjodhi të bëhet pjesë e ekipit të Loredana Bertè, një prej figurave më ikonike të muzikës italiane.
Sezoni i katërt i “The Voice Kids” në Itali ka nisur transmetimin më 10 janar 2026 në televizionin Rai 1. Paneli i trajnerëve përbëhet nga Arisa, Loredana Bertè, Clementino dhe Rocco Hunt (si trajnerë dyshe), si dhe Nek, ndërsa spektakli moderohet për të katërtin sezon radhazi nga Antonella Clerici.
Me një zë të madh dhe talent të jashtëzakonshëm, Serena Marku po përfaqëson denjësisht Lezhën dhe shqiptarët në një nga skenat më të rëndësishme muzikore për fëmijë në Evropë, duke dëshmuar se pasioni, përkushtimi dhe puna e palodhur nuk njohin kufij. /kultplus