Bob Weir, themeluesi i “Grateful Dead” vdes në moshën 78-vjeçare
Anëtari themelues i grupit “Grateful Dead”, Bob Weir ka vdekur në moshën 78-vjeçare.
Sipas një deklarate në Instagram-in e kitaristit dhe këngëtarit, Weir vdiq nga probleme të mushkërive pasi së fundmi kishte luftuar dhe mposhtur kancerin.
“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin për ndarjen nga jeta të Bobby Weir,” thuhej në deklaratë.
“Për më shumë se 60 vjet ishte kitaristi, vokalisti dhe anëtari themelues i “Grateful Dead” Bobby do të jetë përgjithmonë një forcë udhëheqëse, arti unik i të cilit riformësoi muzikën amerikane”, sipas deklaratës.
Weir iu bashkua grupit “Grateful Dead”, të njohur fillimisht si “Warlocks”, në San Francisko në vitin 1965 kur ai ishte vetëm 17 vjeç.
Ai është nderuar si fitues i çmimit “Kennedy Centre Honors”, me një çmim “Grammy Lifetime Achievement” dhe si anëtar i “Rock & Roll Hall of Fame”.
“Grateful Dead” u bënë të njohur për bashkimin e zhanreve – duke përfshirë rock, xhaz dhe folk, të cilat kontribuan në gjeneratën kundërkulturore të viteve 1960 – me këngët “Uncle John’s Band”, “Casey Jones” dhe “Touch Of Grey”.
Në qershor të vitit të kaluar, Weir performoi në koncertin e tij të parë në Londër në më shumë se dy dekada, në Royal Albert Hall, së bashku me orkestrën “Royal Philharmonic Concert Orchestra” dhe grupin e tij, “Wolf Bros”. /atsh