Mes politikës dhe artit: Veprat e Edi Ramës shiten në galeritë e botës deri në 50 mijë euro
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë së fundmi për gazetën prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung një pasqyrë të rrallë mbi jetën e tij si artist vizual, duke zbuluar se përtej politikës që drejton që nga viti 2013, ai ushqen një pasion të thellë për vizatimin dhe skulpturën.
Rama rrëfen se filloi të vizatonte gjatë takimeve të gjata politike, si një mënyrë për të mbajtur përqendrimin. Fillimisht skicat e tij u vlerësuan nga kolegët e kabinetit, të cilët i ruanin pa dijeninë e tij, ndërsa më pas, me mbështetjen e artistit të njohur Anri Sala, ai nisi t’i publikojë ato në libra dhe ekspozita.
Sot, veprat e Ramës përfaqësohen nga galeria ndërkombëtare Société në Berlin, e cila i ka vendosur çmimet sipas kategorisë: rreth 3,800 euro për vizatime, rreth 35,000 euro për skulptura dhe deri në 50,000 euro për instalime me letër-muri.
Kritikë arti si Martin Herbert i përshkruajnë skulpturat e tij si “vizatime në 3D” – forma abstrakte, fluide, shumëngjyrëshe dhe ekspresive, që krijojnë një ndjesi lëvizjeje të vazhdueshme në hapësirë.
Veprat e Ramës janë ekspozuar në institucione prestigjioze si Bienalja e Venecias, Muzeu i Ri në Nju Jork, Qendra Pompidou në Paris dhe Haus der Kunst në Mynih. Në maj 2026, galeria Société do t’i kushtojë atij një ekspozitë personale në kuadër të Gallery Weekend në Berlin.
Në intervistë, Rama thekson se nuk e sheh artin si vazhdim të politikës: “Politika është betejë, përballje dhe mbijetesë. Arti është lutje, është qetësim,” shprehet ai, duke shtuar se pa politikën, ndoshta nuk do të kishte krijuar kaq shumë.
I lindur në Tiranë në vitin 1964, Rama ka qenë fillimisht basketbollist, më pas profesor arti dhe Ministër i Kulturës, Kryetar Bashkie e më pas Kryeministër. Figura e tij mbetet polarizuese në politikë, por në botën e artit ai po ndërton një profil gjithnjë e më të konsoliduar ndërkombëtarisht. /kultplus