At Gjergj Fishta, figurë themelore e kulturës kombëtare

At Gjergj Fishta, figurë themelore e kulturës kombëtare

Kultura December 30, 2025 - 21:17

Sot mbushen 85 vjet prej ndarjes nga jeta të Gjergj Fishtës, një prej figurave themelore të letrave shqipe.

Françeskani erudit, i quajtur ndryshe edhe Homeri shqiptar, i mbylli sytë më 30 dhjetor 1940. Fishta mbetet një prej figurave më brilante të letërsisë, publicistikës, gjuhësisë, meshtarisë, kulturës e diplomacisë.

Me penën e tij të fuqishme, At Gjergj Fishta lartësoi gjuhën shqipe, i dha zë epopesë historike të shqiptarëve, ndërtoi mitin letrar të qëndresës dhe dinjitetit kombëtar si dhe shndërroi fjalën artistike në akt atdhetarie.

“Lahuta e Malcís” shkruar prej tij, mbetet një nga kryeveprat e letërsisë sonë, dëshmi e shpirtit, historisë dhe identitetit shqiptar.

Në këtë 85-vjetor, Biblioteka Kombëtare nderoi At Gjergj Fishtën duke risjellë në kujtesë trashëgiminë e pavdekshme të tij, e cila vazhdon të jetojë dhe të flasë fuqishëm në kulturën, gjuhën dhe vetëdijen tonë kombëtare.

Ndërsa Biblioteka Publike “Gjergj Fishta” e qytetit të Lezhës kujtoi një fragment të fjalimit të Hoxhë Hafiz Ali Kraja, mbajtur në funeralin e At Gjergj Fishtës, ku thuhej: “Me ty, Patër Gjergj, Kombi naltësohet dhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”. /atsh