Blushi: 30 ditë nga botimi i “Jam Mysliman”, mbi 10 mijë kopje të shitura
Një muaj pas mbylljes së panairit të Librit Ben Blushi rikthehet sërish me “Jam Mysliman”. Në rrjetet sociale ai falenderon lexuesit qoftë kritikët apo dhe ata që e kanë vlerësuar. Në panair Blushi dha autografë në 5 mijë libra të shitur nga botimi i “Onufri” duke u shndërruar në më të kërkuarin nga lexuesit por po ashtu shkaktoi polemika dhe debate të forta në opinionin publik, duke i rritur edhe më shumë vlerën e tij. Përplasjet e mendimeve duket se kanë vazhduar dhe më tej ku shfaqet edhe në reagimin e vetë Blushit
POSTIMI I BLUSHIT:
“30 DITË NGA BOTIMI I JAM MYSLIMAN
Sot mbushen 30 ditë nga hedhja në treg e romanit tim të fundit Jam Mysliman.
Në kaq pak ditë qindra lexues më kanë shkruar duke ndarë me mua opinionet e tyre për librin.
Natyrisht bashkë me vlerësimet të cilat nuk i prisja në këtë masë, kam marrë dhe shumë mallkime të cilat edhe ato nuk i prisja në këtë masë.
Shumë njerëz besojnë se shitësit më të mirë të një libri janë ata që e shajnë.
Në këtë kuptim Jam Mysliman ka me qindra shitës të palodhur të cilët nuk kam pse i falenderoj që më kanë fyer, kërcënuar dhe mallkuar pa u menduar dy herë.
Unë nuk i kam atyre asnjë borxh.
Librin e shet vetë libri më shumë se sharësit, shitësit dhe librashitësit.
Prandaj dua të falendëroj të gjithë ata mijëra lexues që për 30 ditë e kthyen këtë roman në një ngjarje në jetën time.
Në javët që vijnë do shkoj me Jam Mysliman në disa qytete për ta promovuar dhe për të takuar grupe lexuesish kudo ku janë dhe kurdo që më kërkojnë.
E di që ata kanë shumë pyetje.
Janë të ftuar dhe ata që shajnë dhe fyejnë.
Më mirë të më shajnë përballë sesa në facebook me profile fallco.
Ky ballafaqim na stërvit të dyja palëve për librat e mi të ardhshën”, shprehet Blushi në postimin në rrjetet sociale.
Përgjatë një muaji nga mbyllja e Panairit të Librit, burimet e Mapo.al thonë se Blushi ka shitur edhe mbi 5 mijë libra të tjerë në Shqipëri e Kosovë, përmes platformave online por edhe në librari të ndryshme duke e shndërruar në botimin më të kërkuar të vitit 2025, çka e arriti në vetëm një muaj me mbi 10 mijë kopje.