Filmat e nominuar për “LUX Audience Award” që shfaqen në Kino Armata

Filmat e nominuar për “LUX Audience Award” që shfaqen në Kino Armata

Kultura December 12, 2025 - 15:08

LUX Audience Award është çmimi më i madh i filmit të zgjedhur nga audienca në Evropë, ku qytetarët zgjedhin fituesin së bashku me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur – Anëtarët e Parlamentit Evropian. Ky çmim jepet çdo vit nga Parlamenti Europian dhe Akademia Evropiane e Filmit, në partneritet me Komisionin Evropian dhe Europa Cinemas.

Filmat e nominuar trajtojnë çështje aktuale shoqërore dhe politike, nxisin debat mbi Evropën dhe pasqyrojnë bukurinë dhe diversitetin e kinemasë evropiane.Kjo nismë u jep filmave të nominuar më shumë dukshmëri dhe i ndihmon të kapërcejnë kufijtë, duke arritur tek një audiencë më e gjerë.

Pesë filmat e nominuar për edicionin e Çmimit LUX 2026 u shpallën publikisht më 7 tetor 2025 në Parlamentin Evropian, në prani të eurodeputetëve, audiencës, kineastëve dhe profesionistëve të filmit.

Si publiku ashtu edhe eurodeputetët mund t’i vlerësojnë filmat online. Filmi me totalin më të lartë të pikëve – ku vota e publikut dhe ajo e eurodeputetëve kanë peshë të barabartë prej 50% secila – do të fitojë Çmimin LUX të Audiencës.

Filmat e parë të nominuar që do të shfaqen në Armata javën e ardhshme janë:

“It Was Just an Accident” (2025) i regjisorit iranian Jafar Panah qëi do të shfaqet më 17 dhjetor, nga ora 19:00.

Ndërsa më 20 dhjetor, në të njëjtën orë, do të shfaqet “Sentimental Value” nga regjisori Joachim Trier.