Tetë vjet pa ikonën e humorit, Blerim Peci

Tetë vjet pa ikonën e humorit, Blerim Peci

Kultura December 09, 2025 - 15:55

Sot mbushen tetë vjet nga ndarja fizike e aktorit të mirënjohur të serialeve televizive, Blerim Peci, një prej emrave që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin dhe humorin kosovar.

Në tetëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, bashkëshortja, Afërdita Sopjani-Peci, e ka kujtuar atë me fjalë plot emocion, duke ndarë me publikun një mesazh prekës në Facebook.

“Bel, sot 8 vite prej ditës kur në paranantezë të njoftimit për ikjen tende e ndjeja të thoja ‘Ngushëllime të mirëve gjithandej, një nga ju na la’.  Sot, 8 vite me parë kur doja ta ngushëlloja edhe komunitetin artistik sepse një ide iku për tu realizuar ne qiell. Por, nuk kisha forcë dhe e personalizova. Kur nuk gjëja ngushëllim për veten, po për të tjerët? Nuk gjej force as sot. Në këtë 8-vjetor të ndarjes tënde fizike nga ne, e gjej veten sërish para asaj ndjesie të vështirë… Tetë vite që zemra ime rreh ndryshe — më rëndë, më bosh. Asnjë ditë, asnjë mëngjes, asnjë natë nuk ka kaluar pa më munguar. Sa më mungon… sa s’thuhet”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Blerim Peci, i njohur për rolet e tij në seriale të njohura, si “Show Meselation” e “Vikendi” në RTK, dhe për projektet e tij inovative në televizion dhe kinema, ndërroi jetë më 9 dhjetor 2017, në moshën 44-vjeçare. Publiku e kujton ende për humorin e tij të veçantë dhe fuqinë artistike që e shndërroi në ikonë të ekranit.