Piktura e vjedhur e Renoir shitet në Paris për mbi 303 mijë euro
Piktura “Rrobaqepësja” e Pierre-Auguste Renoir, e cila iu konfiskua një tregtari arti hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, është shitur në ankand në Paris për 303,312 euro, raportojnë mediat franceze.
Vepra, e vlerësuar paraprakisht midis 220,000 dhe 300,000 eurove, rezultoi pak mbi pritshmëritë e ankandit. Ajo ishte shitur më herët, në vitin 2023, për 332,000 euro në të njëjtën shtëpi ankandi Giquello, në Hotel Drouot të Parisit, shkruan Le Figaro.
Një vepër e rrallë e fazës së vonë të Renoir-it
Piktura me dimensione 30 x 35 cm, e realizuar rreth vitit 1916, paraqet tre figura femërore pranë ujit. Presidenti i Drouot theksoi se kjo vepër dallon nga stili tipik figurativ i Renoir-it dhe konsiderohet një ndërthurje mes impresionizmit të vonë dhe impresionizmit me elemente abstrakte.
Historia e vjedhjes nga nazistët
Vepra i përkiste tregtarit hebre të artit Alfred Weyberger, i cili jetonte në Paris. Gjatë pushtimit nazist, koleksioni i tij u sekuestrua plotësisht, përfshirë pesë piktura të Renoir-it dhe një vepër të Eugène Delacroix.
Një nga pikturat e grabitura të Renoir-it, “Gratë në Kopsht”, u identifikua në SHBA dhe iu kthye mbesës së Weyberger-it në vitin 2018. Pjesa tjetër e koleksionit nuk është gjetur kurrë.
Interes i lartë për veprat e Renoir
Së fundmi, një tjetër pikturë e Renoir-it – “Fëmija dhe lodrat e tij”, që paraqet djalin e artistit dhe dadon e tij – u shit më 25 nëntor për 1.8 milionë euro, sipas mediave pariziene. /kultplus