Gonxhja: Festime për 28 Nëntorin në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë e Sanxhak
Për herë të parë, Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë dhe nën kujdesin e Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, organizoi aktivitete kulturore, artistike dhe identitare në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak, me rastin e festave të Nëntorit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja përcolli pamje nga festimet në rrjetet sociale, duke sjellë dhe detaje.
Salla në Bujanoc të Luginës së Preshevës jehoi me këngën Besa-Besë, të performuar nga nxënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri” bashkë me publikun, në kuadër të manifestimit kulturor të 28 Nëntorit përmes programit kulturore “Nëntor Lugine” të mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Mbi 607 artistë e krijues të angazhuar dhe mbi 3,500 pjesëmarrës të pranishëm në evente, publik, të rinj, nxënës, komuniteti i gjerë dhe dashamirës të artit e kulturës shqiptare që u bashkuan për të festuar.
Kjo nismë vjen menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit në shtator, si dhe pas vizitave zyrtare të zhvilluara këtë vit në Luginën e Preshevës, të cilat u realizuan nën kujdesin dhe vëmendjen e posaçme të Kryeministrit Rama.
Gjatë këtyre vizitave, u thellua dialogu me komunitetin shqiptar, institucionet lokale, dhe të rinjtë që mbajnë gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë në Luginë.
“MTKS dhe institucionet e saj, mbeten plotësisht të përkushtuar të forcojnë bashkëpunimin me Preshevën dhe të gjithë Luginën, duke mbështetur nismat kulturore, panairin e librit, artistët e rinj, aktivitetet komunitare dhe çdo përpjekje që ruan, zhvillon dhe promovon identitetin shqiptar”, shkruan Gonxhja.
Ndërkaq, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përcolli momente nga festimet në Preshevë.
“Zemrat kuqezi në Luginën e Preshevës, ku breza shqiptarësh festuan ditët e Pavarësisë dhe Çlirimit, me mbështetjen e Qeverisë shqiptare dhe Ambasadës tonë në Serbi, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Shqiptar, për të trashëguar me krenari vlerat, traditën dhe kulturën shqiptare”, shkroi MEPJ në rrjetet sociale.