Promovohet libri për Osman Dumoshin në 57-vjetorin e Demonstratave të vitit 1968
Gjatë ditës së sotme, nën organizimin e Departamentit të Historisë, u mbajt promovimi i librit “Osman Dumoshi – Simbol i demonstratave të vitit 1968”, i autorit Selatin Novosella.
Në këtë promovim, si referues u paraqitën profesorët Ibrahim Gashi, Bujar Dugolli dhe Mentor Hasani, ndërsa fjalë përshëndetëse mbajtën autori i librit, Selatin Novosella, si dhe djali i Osman Dumoshit, Lum Dumoshi.Në këtë promovim, një fjalë rasti e mori djali i Osman Dumoshit, Lum Dumoshi, i cili falëndëroi autorin Selatin Novosella për këtë libër, si dhe të gjithë të pranishmit.
”Sot, në 57 vjetorin e demonstratave të vitit 1968, të cilat filluan, pikërisht, nga ky fakultet, botimi i këtij libri na nderon shumë Familjen tonë. Nuk dua të flas për kontributin e axhës Ismail, as babait Osmanit, as gjyshës tonë të shtrenjtë, Sadije, as anëtarëve të tjerë të familjes tonë, por dua të theksoj disa nga mirënjohjet, shpërblimet dhe dekoratat e institucioneve të Kosovës si dhe të bashkëpunëtorëve të axhës Ismail dhe babait Osman. Fillimisht, dua ta përmend emërtimin e rrugës ku familja Dumoshi jeton rreth një shekulli “RRUGA ISMAIL DUMOSHI”, nga komuna e Prishtinës, në vitin 2000. Emërtimi Shkollës “ISMAIL DUMOSHI”, në Obiliq, ku dikur kishte qenë drejtor axha Ismail, si dhe ngritja e shtatores së babait Osman, nga bashkëpunëtari dhe miku i familjes tonë, Bedri Novosella, në Qendrën Studentore të Universitetit të Prishtinës” u shpreh Lum Dumoshi në fjalimin e tij.
Libri u promovua në 57-vjetorin e demonstratave të vitit 1968, pikërisht sot, më datë 27 nëntor, në Fakultetin Filozofik – aty prej nga nisën këto demonstrata të rëndësishme për historinë e Kosovës./KultPlus