Harta digjitale rikthen në jetë rrugët e lashta romake
"Të gjitha rrugët të çojnë në Romë!”. Rrugët ishin sistemi jetik i Perandorisë Romake, duke u shtrirë nga Britania deri në Afrikën e Veriut — përgjatë tyre u vendosën njerëz; marshonin ushtri; udhëtonin tregtarë, mallra, dije dhe pushtet — deri në cepat më të largët të perandorisë. Edhe sot, rrjeti rrugor romak vazhdon të formësojë pjesë të mëdha të Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.
Tani, një projekt i ri i madh kërkimor digjital po ndryshon në mënyrë thelbësore mënyrën se si e shohim këtë infrastrukturë antike. Ekipi ndërkombëtar akademik pas projektit Itiner-e ka krijuar setin e parë me rezolucion të lartë dhe të dhëna të hapura që harton të gjithë rrjetin rrugor të Perandorisë Romake. Në total, ata kanë arritur të hartojnë në mënyrë digjitale 299,000 kilometra rrugë që përshkojnë rreth 4 milionë kilometra katrorë të ish-perandorisë, pothuajse duke dyfishuar gjatësinë e rrugëve që mendohej se ekzistonin më parë.
Itiner-e: Hartimi digjital i botës së lashtë
Për të digjitalizuar rrjetin, u studiuan burime të besueshme. Studiuesit kërkuan në zona arkeologjike, ditarë udhëtimesh dhe harta shekullore si Tabula Peutingeriana. Pistat historike të gjetura u krahasuan me pamjet moderne ajrore dhe satelitore për të krijuar Itiner-e.
Gjurmët e ndarjes romake të tokave(Centuriation), të njohura jo nga mure apo kanale, por nga parcelat, pasi romakët i ndanin në mënyrë të barabartë tokat e reja dhe të pushtuara në blloqe drejtkëndore — janë ende të dallueshme sot si shtigje, rrugë ose kufij. Ato duken qartë në fotot ajrore, në hartat kadastrale dhe madje edhe gjatë ecjeve, sidomos në Italinë veriore, Francën jugore dhe Tunizi.
Në fund studiuesit bashkuan 14,769 segmente individuale në një sistem të detajuar gjeoinformacioni (GIS), i saktë deri në 50 metra, që lidh çdo seksion rrugor me metadata rajonale, indikatorë cilësie, burime dhe lidhje digjitale me informacion mbi vendbanimet antike. Kjo ofron, për herë të parë, një kuptim më gjithëpërfshirës të mënyrës si qarkullonin njerëzit, si administrohej perandoria, madje edhe si shpërndaheshin sëmundjet.
Metoda digjitale dhe punë detektive arkeologjike
Përveç mbi 100.000 km rrugëve kryesore, studiuesit hartuan edhe 195.000 km rrugë dytësore, duke vizualizuar lëvizshmërinë në zonat më të largëta të perandorisë.
Një risi tjetër e ekipit ishte përdorimi i modeleve digjitale për të simuluar shpejtësinë, itinerarin dhe pengesat fizike të rrugëve që kalonin në terrene të vështira.
Rrugët: Themel i fuqisë dhe lëvizshmërisë së Perandorisë Romake
Një risi tjetër e Itiner-e është paraqitja e qartë e mënyrës si aftësia logjistike e romakëve u mundësonte zgjerimin masiv të perandorisë — duke bërë të mundur tregtinë, shkëmbimin intelektual dhe kontrollin ushtarak të territoreve të mëdha. Mbi 100,000 km rrugë kryesore përshkonin perandorinë, të pajisura me shenja kilometrike, poste ushtarake dhe qendra administrative, prandaj edhe të dokumentuara mirë.
Shtrirja e rrugëve dytësore pasqyron zhvillimet e ekonomive rajonale dhe lëvizjen e përditshme. Nga të dhënat, studiuesit vunë re se disa zona ruajnë gjurmë të qarta të rrjetit edhe sot, ndërsa të tjerat janë rindërtuar përmes analizave digjitale bazuar në histori dhe burime të zonave. Projekti hap kështu mundësi të shumta për hulumtime të ardhshme. /DW