“Gjyshet që shpëtuan kuzhinën shqiptare”, BBC-ja artikull për traditën kulinare shqiptare

“Gjyshet që shpëtuan kuzhinën shqiptare”, BBC-ja artikull për traditën kulinare shqiptare

Kultura November 27, 2025 - 11:09

Media prestigjioze BBC ia ka kushtuar një artikull traditave kulinare shqiptare dhe mënyrës sesi ato janë ruajtur ndër vite. Sipas artikullit, janë pikërisht gjyshet shqiptare ato që shpëtuan kuzhinën tradicionale, teksa vendi kaloi periudha të vështira tranzicioni.

BBC-ja sjell në vëmendje mungesën e ushqimeve gjatë regjimit komunist, zhdukjen e recetave në atë kohë, si dhe ndikimin e eksodit të shqiptarëve pas viteve ’90.

“Shqipëria po i rikthehet traditës së saj kulinare me ndihmën e gjysheve, të cilat po u mësojnë brezave të rinj gatimin e recetave të hershme. Ky fenomen vjen pas dy periudhave të ‘amnezisë kulinare’ që vendi ka përjetuar gjatë 80 viteve të fundit.

Nga viti 1946 deri në vitin 1991, Shqipëria u qeveris nga regjimi komunist, i cili e izoloi vendin nga bota e jashtme. Në atë kohë, librat e gatimit u dogjën, importet u ndaluan, udhëtimet jashtë vendit u ndaluan, ushqimi u kolektivizua dhe mungesat ishin të përhapura.

Pas rënies së komunizmit në vitet ’90, rreth 710 mijë qytetarë – afërsisht 20% e popullsisë – u larguan nga Shqipëria në kërkim të punës jashtë vendit. Me kalimin e kohës, shumë prej emigrantëve harruan recetat e traditës shqiptare, teksa u përshtatën me kulturat e vendeve ku jetuan.

Mes mungesave të ushqimit gjatë komunizmit dhe emigracionit masiv pas tij, deri në fillim të shekullit XXI, një pjesë e madhe e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit kishin harruar si të përgatisnin kuzhinën tradicionale – përveç grave të një brezi të caktuar, të cilat ruajtën recetat e hershme”, shkruan BBC. /Rtsh