Çeku: Filharmonia dhe Opera e Kosovës, koncert historik në Vatikan
Në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli në Vatikan, Filharmonia e Kosovës dhe Opera e Kosovës kanë mbajtur një koncert të jashtëzakonshëm, i cili u prit me shumë emocion dhe vlerësim. Ngjarja u realizua në bashkëpunim me Fondacionin Bartolucci, si pjesë e aktiviteteve të Jubileut.
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, përmes një postimi në Facebook, u shpreh se kjo mbrëmje ishte “plot krenari për vendin”, duke theksuar rëndësinë e paraqitjes së institucioneve artistike të Kosovës në një skenë kaq prestigjioze ndërkombëtare.
Orkestra dhe kori i Kosovës, së bashku me solistët Besa Llugiqi, Ivana Hoxha, Carlos Cardoso dhe Biagio Pizzuti, nën dirigjimin e mjeshtrit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli, interpretuan me emocion dhe teknikë të lartë oratoriumin “La Tempesta sul Lago” të kompozitorit Domenico artolucci.
Ministri Çeku vlerësoi këtë paraqitje si një dëshmi të fuqisë së artit kosovar dhe të përfaqësimit të denjë të shtetit në skenat e mëdha botërore, përballë një audience të pasur kulturore e diplomatike.
Ai përgëzoi drejtuesit e Filharmonisë dhe Operës së Kosovës, instrumentistët dhe koristët, duke i cilësuar performancat e tyre si të mrekullueshme.
Edhe Filharmonia e Kosovës e vlerësoi koncertin institucional të Jubileut si prezantim i jashtëzakonshëm.
“Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, së bashku me Korin e Operës së Kosovës, kanë përbyllur prezantimin madhështor në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli. 138 muzikantë u bashkuan në skenë për këtë koncert të veçantë”, njofton Filharmonia e Kosovës.