Kurti me vizitë në Manastir për nder të Ditës së Alfabetit Shqip
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Manastirin për nder të Ditës së Alfabetit Shqip, i shoqëruar nga kryeparlamentari Afrim Gashi dhe krerët e VLEN-it.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka ndarë informacionin për këtë vizitë, duke theksuar se, së bashku me liderët e VLEN-it, pritën Kurtin në drekë, ku diskutuan për zhvillimet politike dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Mexhiti ka theksuar se biseda përfshiu mënyrat konkrete se si ky bashkëpunim mund të përmirësohet në fusha që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Ai gjithashtu ka shtuar se ky takim u mbajt pak para manifestimit qendror për Ditën e Alfabetit në Manastir, një ditë që, sipas tij, rikujton vendimin historik të rilindasve shqiptarë për të unifikuar gjuhën dhe për t’i dhënë popullit një mjet të përbashkët zhvillimi.
“Ky takim pune u pasua nga një ngjarje që simbolizon identitetin, qëndrueshmërinë dhe drejtimin e qartë kombëtar. Sot, ndërsa nderonim alfabetin shqip, u ndje më shumë rëndësia e bashkërendimit mes nesh, në ide, vizion dhe veprim,” ka përfunduar Mexhiti.