Festivali Multikulturor sjell në qendër vlerat dhe energjinë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian
Pallati i Rinisë në Prishtinë do të shndërrohet në një hapësirë të kulturës, artit dhe bashkëjetesës më 4 dhe 5 dhjetor, ku do të mbahet edicioni i radhës i Festivalit Multikulturor të organizuar nga Voice of Roma, Ashkali and Egyptians.
Këtë vit, festivali vjen me moton domethënëse: “Festojmë ngjashmëritë tona”, është një thirrje e qartë për unitet dhe respekt të ndërsjellë mes komuniteteve, raporton Zeri.info.
Ky festival dyditor do të bashkojë në një vend artistë, aktivistë, studentë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë, të cilët do të kenë mundësinë të njohin nga afër pasurinë artistike dhe trashëgiminë kulturore të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë.
Qytetarët e interesuar mund të skanojnë QR kodin për të parë programin e plotë të aktiviteteve dhe të ndjekin kanalet zyrtare në rrjete sociale për të gjitha përditësimet.
Ndryshe dyert janë të hapura për të gjithë, pasi ky Festival është ftesë për të njohur, respektuar dhe festuar larminë që ndërton shoqërinë tonë çdo ditë. /Zëri