Portreti i Gustav Klimt shitet 236 milionë dollarë, rekordin për artin modern e mbante portreti i Marilyn Monroe
Një pikturë e Gustav Klimt u shit mbrëmë për 236,4 milionë dollarë, duke vendosur një rekord të ri për artin modern, raportoi AP.
Portreti “Elisabeth Lederer”, i realizuar nga Klimt, u shit në ankandin e Sotheby’s në Nju Jork pas një gare ofertash që zgjati rreth 20 minuta.
Tabloja, 1.8 metra e lartë dhe e pikturuar midis viteve 1914-1916, paraqet vajzën e një familjeje aristokrate vjeneze, e veshur me një mantel të frymëzuar nga perandoria e Azisë Lindore.
Në këtë vepër shumëngjyrëshe pasqyrohet jeta e pasur e familjes Lederer, pak përpara se Austria të aneksohej nga Gjermania naziste në vitin 1938.
Sipas Galerisë Kombëtare të Kanadasë, ku piktura ishte huazuar, nazistët konfiskuan koleksionin e artit të familjes, duke lënë vetëm portretet, të cilat i konsideruan “tepër hebraike” për t’u marrë.
Për të shpëtuar jetën e saj, Elisabeth Lederer trilloi një histori se Klimt, i cili nuk ishte hebre dhe kishte vdekur në vitin 1918 – ishte babai i saj. Me ndërmjetësinë e ish-kunatit, një funksionar i lartë nazist, ajo arriti të sigurojë një dokument që deklaronte këtë gënjeshtër, gjë që i mundësoi të qëndronte e sigurt në Vjenë deri në vdekjen e saj nga një sëmundje në vitin 1944.
Portreti bënte pjesë në koleksionin e miliarderit Leonard A. Lauder, trashëgimtar i “The Estée Lauder Companies”, i cili u nda nga jeta këtë vit në moshën 92-vjeçare, duke lënë pas një koleksion arti që kap vlerën e mbi 400 milionë dollarëve.
Sotheby’s nuk bëri të ditur identitetin e blerësit.
Me këtë shitje, u thye rekordi i mëparshëm i artit të shekullit XX, i mbajtur nga portreti i Marilyn Monroe i krijuar nga Andy Warhol, i cili ishte shitur për 195 milionë dollarë në vitin 2022.
Sotheby’s njoftoi gjithashtu se pesë vepra të Klimt nga koleksioni i Lauder u shitën për një total prej 392 milionë dollarësh. Ndër më të kërkuarat në ankand ishin edhe vepra të Vincent van Gogh, Henri Matisse dhe Edvard Munch.