“Zurich Shqip Comedy Festival” publikon përmbledhjen e edicionit të katërt [video]
Festivali “Zurich Shqip Up Comedy Festival” ka publikuar së fundmi një video përmbledhëse të edicionit të katërt, i cili u mbajt para dy javësh në Cyrih dhe shënoi një sukses të jashtëzakonshëm.
Dy netë plot humor dhe të qeshura mbushën diasporën shqiptare në Zvicër, me një publik më të madh se kurrë më parë. Videoja ofron një pasqyrë të gjallë nga skena, prapaskenat dhe atmosfera në pre- dhe after-party, duke treguar se gjithçka ishte në nivel të lartë profesional dhe argëtues.
Në mbishkrimin e videos, faqja zyrtare e festivalit shkruan: “Jashtëzakonisht të lumtur dhe krenarë me gjithë ekipin, bashkëpunëtorët, artistët, bordin dhe të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë dhënë kontributin e tyre në një ngjarje si kjo! Ishte diçka unike — diçka që më parë nuk ka ndodhur as këtu, as në trojet shqiptare — dhe ato që flasin më së miri janë pamjet e kësaj videoje”.
Festivali tashmë është kthyer në një nga ngjarjet më të mëdha kulturore shqiptare në Zvicër dhe më gjerë, duke ndjekur vizionin e nisjes së tij katër vite më parë: të sillte humor cilësor, të hapte hapësirë për zëra të rinj dhe të bashkonte komunitetin shqiptar me atë zviceran përmes artit dhe të qeshurës.
Faqja e festivalit shton: “Sot, pas katër edicionesh, ëndrra po bëhet realitet falë shumë njerëzve, të cilëve dua t’u shpreh mirënjohjen më të sinqertë. Ne, bashkë me gjithë stafin e festivalit, ju themi 2500 herë faleminderit të gjithë atyre që na ndoqën nga afër! Faleminderit gjithë sponsorëve tanë, të cilët na kanë qëndruar pranë për vite me radhë, dhe institucioneve të Republikës së Kosovës që mbështetën këtë iniciativë kulturore. Jemi gjithashtu mirënjohës për partnerin mediatik Telegrafi dhe të gjithë ata që kontribuan në komunikimin dhe mbulimin e festivalit”.
Organizatorët theksuan se Shqip Up po rritet çdo vit, me ide dhe artistë të rinj, duke sjellë programe që sfidojnë dhe argëtojnë publikun. Ata gjithashtu ftojnë fansat që të mos humbasin edicionin jubilar më 31 tetor 2026 dhe të vizitojnë faqen e festivalit për më shumë informacione: www.shqipupfestival.ch.
Ky edicion i katërt i “Shqip Up Comedy Festival” ka dëshmuar se humori dhe arti janë mjete të fuqishme për të bashkuar komunitetin dhe për të promovuar kulturën shqiptare jashtë vendit.