“Falmi sytë e tu, Homer” botohet në Mal të Zi - përfshihet në programin mësimor të shkollave të mesme

“Falmi sytë e tu, Homer” botohet në Mal të Zi - përfshihet në programin mësimor të shkollave të mesme

Kultura November 06, 2025 - 10:45

“Falmi sytë e tu, Homer”, libri me poezi i poetit të njohur Agim Vinca është botuar në Mal të Zi, në dy gjuhë, botim brenda planit të botimeve nga autorët e përfshirë në programin mësimor të shkollave me mësim në gjushën shqipe, shkruan KultPlus. 

Ndërkohë, po ky botim do të prezantohet edhe në Panairin e Librit në Tiranë, ku prezent do të jetë edhe poeti Agim Vinca. 

Ndërkohë, KultPlus sjell edhe vështrimin e Hasnija Muratagië-Tuna për përmbledhjen me poezi “Falmi sytë e tu, Homer”.

Fjala e një poeti që duhet të dëgjohet larg

Në jetën e tij, sidomos në kohën e mynxyrës së madhe, Agim Vinca nuk heshti si qyqar, por ngriti zërin dhe luftoi përmes armës së tij të vetme, këngës, ashtu siç bën tani me poezitë të cilat na i ofron. Ato në asnjë çast nuk të lënë gjakftohtë, sepse ky poet me poezitë e tij na tërheq ngadalë në greminën e tmerreve të përjetuara për çdo ditë në vendin e tij ose edhe më larg, dëshmitarë të të cilave kemi qenë edhe ne vetë.
Përmbledhja e Agim Vincës është plotësisht origjinale dhe arrin të nxisë përjetim të njëmendët artistik. Tematikisht ajo është e llojllojshme, përplot të dhëna për jetën dhe reflektime të këtij autori për kohën dhe hapësirën në të cilën jeton. Temat më të shpeshta janë ato të aktualitetit. Vokacionin e tij poetik e ndërton mbi tema të ndryshme. Poeti Vinca lundron përmes qenies dhe kohës së tij, prandaj një numër i madh i poezive mund të kuptohet si dokument dhe ilustrim i një kohe të rëndë për popullin shqiptar. Çfarëdo që prek, e përpunon dhe i jep formën e perlave të vërteta artistike dhe ua dhuron lexuesve. Prandaj, këtë poezi e karakterizon shpeshherë prania e fabulës. Lënda e ashpër motivore vishet me shprehje lirike. Kjo është poezi e përvojës, e pleksur me një sensibilitet specifik. I pajisur me dhuntinë e energjisë shpirtërore, mendimore dhe ndenjore, Vinca e shndërron çastin në përjetësi. Ai është një dukuri e veçantë në poezi përgjithësisht, poet me njohje fascinuese të rrethanave dhe të njerëzve me të cilët jeton. Në mënyrë të shkëlqyeshme, në formë imazhesh impresive, ndërton diskursin e vet poetik. Këto poezi pashmangshëm e angazhojnë lexuesin në planin emocional dhe intelektual. Mendimi i tij është i thellë dhe universal. Secila poezi e tij është njësoj e bukur dhe e papërsëritshme. Në to fjalët kanë domethënie më të madhe se ç’është ajo që shenjojnë. Agim Vinca është shumë emotiv, lirik dhe refleksiv. Ka krijuar poezi me potencial të madh asociativ. Prej tyre rrezatojnë kuptime dhe domethënie të shumta. Në to derdhen vrushkuj fjalësh, figurash, sendesh. Prandaj, mund të interpretohen pakufishëm në mënyra të ndryshme. Fjala e këtij poeti duhet të dëgjohet larg, sepse ajo sjell porosi dhe mesazhe të fuqishme.
Kjo poezi fisnikëron dhe u jep përgjigje pyetjeve të mëdha të përditshmërisë. Ajo ndihmon që të kuptojmë saktësisht se cilit soj njerëzor i takojmë. Poeti Agim Vinca bën thirrje për vetëdijësim dhe zhdehje, për dinjitet dhe njerëzillëk./KultPlus.com