Bota magjike e “La Sylphide” në TKOB

Bota magjike e “La Sylphide” në TKOB

Kultura November 04, 2025 - 18:25

Publiku i TKOB udhëtoi mbrëmë në Skocinë e mjegullt, ku dashuria dhe ëndrra vallëzuan në kufijtë e realitetit dhe imagjinatës.

Baleti “La Sylphide” solli një mbrëmje të jashtëzakonshme duke i dhuruar publikut një kryevepër të repertorit klasik botëror.

“La Sylphide” u vu në skenë nga balerinët e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, me koreografi nga August Bournonville, muzikë nga Herman Severin Løvenskiold të luajtur nga Orkestra Simfonike e TKBOAP-së, drejtuar nga Gridi Kraja.

Historia e “La Sylphide” do të shfaqet edhe sonte e nesër (4 dhe 5 nëntor).

“La Sylphide” është një nga baletet më të magjishëm të epokës romantike. Në mëngjesin e ditës së martesës, James, i rrëmbyer mes realitetit dhe ëndrrës, zgjohet nga një puthje e lehtë. Sylphide, një krijesë ajri, e thërret drejt botës së saj të padukshme.

Ai përpiqet ta harrojë, por fryma e saj e ndjek kudo. Një shtrigë e vjetër, Madge, i profetizon të fejuarës së tij, Effies, se do të martohet me kushëririn Gurn, jo me James-in.

I ndarë mes dashurisë tokësore dhe asaj qiellore, James ndjek Sylphide-n në pyllin e saj magjik. Duke u përpjekur për ta mbajtur pranë atë, ai bie pre e mashtrimit të shtrigës. /atsh/ KultPlus.com