Një muaj me aktivitete kulturore në Luginë dhe Sanxhak
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka bërë të ditur se për herë të parë Këshilli Kombëtar Shqiptar, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë dhe me asistencën e Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, organizon një muaj të tërë me aktivitete kulturore, artistike dhe identitare në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak.
Në një postim në Facebook, Rexhepi ka theksuar se gjatë këtij muaji do të manifestohet identiteti shqiptar, me qëllim që të mbahet gjallë fryma kombëtare dhe krenaria shqiptare te shqiptarët e Luginës dhe të Sanxhakut.
“Nën qëllimin #VeçShqip, në NëntorLuginë do të manifestojmë identitetin shqiptar, duke e mbajtur gjallë frymën kombëtare dhe krenarinë shqiptare te shqiptarët e Luginës dhe të Sanxhakut. Pra, më shumë Kosovë e Shqipëri në Luginë nuk është më thjesht një moto, por mënyrë funksionimi për ne”, ka shkruar ai.
Më tej, Rexhepi ka bërë të ditur se javën e kaluar ka filluar implementimin e programit të shpërndarjes së buxhetit të ndarë për Luginën dhe Sanxhakun nga Republika e Kosovës, duke hapur katër konkurse për fusha që prekin identitetin kombëtar.
"Sot po fillojmë implementimin e projektit me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, me aktivitete të shumta që shënojnë e manifestojnë identitetin kombëtar”, ka shkruar ai.