“Kur po xhirohej një film” sonte shfaqet në Kino Armata

“Kur po xhirohej një film” sonte shfaqet në Kino Armata

Kultura November 03, 2025 - 09:41

Në kuadër të programit “Netët e Filmit Shqiptar”, sonte do të shfaqet versioni i restauruar i filmit “Kur po xhirohej një film”, nga Xhanfise Keko, i realizuar në vitin 1981.

Filmi trajton një temë të rëndësishme sociale në lidhje me familjen. Një film i ri po xhirohet në një qytet të vogël. Aktorët janë një grup fëmijësh. Genti i vogël është nën stres sepse prindërit e tij Liljana dhe Kujtimi janë ndarë për shkak të qëndrimit mikroborgjez të Kujtimit kundrejt Liljanës.

Xhanfise Keko njihet si një nga kineastet më të mira për punën e saj të përkushtuar ndaj filmit për fëmijë. Ajo ishte një nga të paktat regjisore shqiptare që arriti t’i shfaqte filmat e saj në Itali, Francë, Brazil, Spanjë, Greqi, Turqi etj.

Gjatë viteve ’70 dhe ’80, kur Xhanfise Keko realizoi 11 filma artistikë, Shqipëria ishte vendi më i izoluar në Evropë dhe artistët detyroheshin të punonin brenda kornizës së ideologjisë komuniste të asaj kohe.

Ky cikël filmash organizohet nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Kino Armata.

Filmat do të shfaqen për nxënësit e shkollave, po ashtu edhe për publikun, duke ofruar një udhëtim në historinë dhe trashëgiminë e artit kinematografik shqiptar.

Filmi shfaqet nga ora 19:00, në Kino Armata Prishtinë dhe përmban titra në gjuhën angleze.