Gërvalla: RTK-ja e gatshme për Eurovision, por politika po e ndalë rrugën

Gërvalla: RTK-ja e gatshme për Eurovision, por politika po e ndalë rrugën

Kultura November 01, 2025 - 12:21

Radio dhe Televizioni i Kosovës [RTK], ka bërë të gjitha përgatitjet për të nisur javën e ardhshme edicionin e tretë të Festivalit të Këngës, por kënga fituese nuk pritet as këtë herë të prek skenën e festivalit evropian "Eurovision Song Contest".

Kjo u tha të premten në një konferencë për media nga organizatorët, të cilët shpalosen detajet rreth këtij edicioni, për të cilin thanë se do jetë më ndryshe se dy edicionet e para, duke theksuar risi në organizim, cilësi artistike dhe prurje të reja në garë që do të shpalosen në skenë më 6,7 dhe 8 nëntor në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, shkruan Zeri.info.

Drejtori i Festivalit, Rilind Gërvalla tha se bashkë me një qasjen e re, janë fokusuar më shumë tek cilësia artistike dhe prurjet e reja që do të shpalosen në skenë.

Gërvalla e cilësoi Festivalin si një nga projektet më të mëdha dhe më të dashura për RTK-në, për çka tha se janë angazhuar një ekip i madh që gjithçka të shkojë mirë.

“Festivali, një nga projektet më të mëdha dhe më të dashura të institucionit tonë. Ky është edicioni i tretë dhe për dallim nga dy të parat, këtë vit kemi një qasje të re, gjithçka që do shihni në skenë është rezultat i punës së një ekipi jashtëzakonisht krijues”

“Në tri netët festive në kryeqytet do të dëgjojmë zërin e artistëve që sjellin një energji të ren ë muzikën shqipe që lind nga tradita, por shkon drejt së ardhmes”, tha Gërvalla.

Në anën tjetër, Florent Boshnjaku, i cili për herë të tretë është drejtor artistik i Festivalit, tha se tashmë Festivali i Këngës, është një platformë e mirë për të gjithë ata që duan të dëshmojnë vlerat artistike.

“Tashmë e kemi një platformë të jashtëzakonshme që i mundëson artistae të rinj, por edhe ata që janë gjatë në treg, e cila ju ofrohet, në aspektin artistik, teknik dhe një përkrahje që vjen gna televizioni dhe radio”, tha Boshnjaku, transmeton Zeri.info.

Politika po e pengon hyrjen e Kosovës në Eurovision

I pyetur nga “Zëri” se sa e kanë ofruar këto tri edicione të Festivalit, Kosovën me Eurovisonin, Gërvalla tha se si RTK, tashmë e kanë dëshmuar se janë gati për Eurovisionin, por që disa qështje që lidhen me politikën, po e pengojnë pjesëmarrjen.

“Anëtarësimi ose hyrja në Eurovision, ka problemet e veta politike, ato shkojnë paralelisht edhe me situatën politike por edhe me procesin që po kalon Kosova, karshi Këshillit të Evropës dhe OKB-së, këto dy institucione do ta dërgonin Kosovën në Eurovision”.

“Ne me Festivalin e këngës, e kemi dëshmuar se Kosova është gati për Eurovision”, u përgjigj Gërvalla.

Ai shtoi se në të gjitha takimet që i kemi pasur me EBU-në, ja kanë paraqitur punën e festivalit dhe ata, sipas tij, janë të kënaqur që një vend, i ri, me kulturë të re ka arritur kaq shpejt të realizojë dy festivale.

Po ashtu edhe Boshnjaku, tha se të gjithë presin që Kosova të merr pjesë në Eurovision, dhe sipas tij, ajo ditë do të vijë, por theksoi se tashmë ata janë gati kurdo që Kosova të dërgoi këngën e saj në skenën evropiane.

“Unë e di që ndoshta, ajo kërkesa dhe arsyeja që shumë njerëz e presin është Eurovisioni, edhe ajo ditë do të vij dhe kur vjen ai moment, do të jetë më e leht për me u bo diçka që të gjithë e presim, me dërgua këngën si i ka hije dhe mi përbush të gjitha standardet që kërkohen për një ngjarje të tillë”, tha Boshnjaku.

Ndërkohë në një përgjigje për “Zërin”, EBU ka treguar pse Kosova nuk merr pjesë në Eurovision.

Kosova nuk mund të marrë pjesë në Konkursin e Këngës “Eurovision” sepse transmetuesi i saj publik nuk është anëtar i EBU-së. Statuti i EBU-së përcakton se një anëtar duhet të vijë nga një vend që është anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimeve ose anëtar i Këshillit të Evropës. Kosova nuk bën pjesë në asnjërin prej tyre”, thuhet në përgjigjen e EBU-së.

EBU-ja megjithatë përmend se ka ndihmuar në krijimin e transmetuesit publik të Kosovës, RTK, në vitin 1999 dhe vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me RTK-në për të mbrojtur median e shërbimit publik në Kosovë.

Buxheti i Festivalit: 200 mijë euro nga MKRS-ja, të tjerat nga RTK-ja

Sipas një memorandumi të nënshkruar para tri vitesh mes RTK-së dhe Ministrisë së Kultures, parashihej që Festivali i Këngës të përkrahej financiarisht për tri vite nga Ministria, por ky memorandum përfundon këtë vit, ndërsa Gërvalla tregoi se si do të veprohet tutje me buxhetin për të organizuar festivalin e radhës të vitit të ardhshëm.

Gërvalla deklaroi se buxheti për këtë vit është 200 mijë euro subvencion nga Ministria e Kulturës dhe pjesa tjetër do mbulohet nga vet RTK-ja, ndërsa shtoi se organizimi i edicionit të katërt do të jetë në dorë të RTK-së për vitin e ardhshëm.

“Buxheti është në bazë të një marrëveshje me Ministrinë e Kulturës, i cili ka qenë i ndarë në tri faza, dhe faza e tretë duhet të ketë buxhet që kap shifrat diku te 200 mijë euro dhe pjesa tjetër mbetet të mbulohet nga RTK-ja”

“Ne kemi bërë planifikimin buxhetor për vitin 2026 dhe të gjitha shpenzimet e edicionit të katërt i kemi futur në projektbuxhet i cili do të shkoj drejt Kuvendit, kjo është detyra jonë që e kemi mbaruar tashmë”, tha Gërvalla në konferencë për media e cila u mbajt të premten.

Festivali i Këngës në RTK, do të mbahet më 6,7 dhe 8 nëntor në Pallatin e Rinisë, ku në garë janë 20 këngën, ndërsa do të ketë të ftuar special, ku një prej tyre tashmë është konfirmuar se do jetë talenti shqiptar nga Zvicra, Gjon’s Tears, por nuk do të mungojnë as emra të njohur të muzikës nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut. /Zëri