Promovohet monografia “Ideologjia në tekstet shkollore të gjuhës dhe të letërsisë”

Promovohet monografia “Ideologjia në tekstet shkollore të gjuhës dhe të letërsisë”

Kultura October 29, 2025 - 18:06

Në Rektoratin e Universitetit të Tiranës u promovua studimi monografik “Ideologjia në tekstet shkollore të gjuhës dhe të letërsisë (1978-1985)” ku merrnin pjesë studiues, drejtues institucionesh, gazetarë, pedagogë e studentë.

Kjo monografi me autorë, Elsa Skënderi Rakipllari, Anila Çepani, Rozana Rushiti, Belfjore Qose është produkt i projektit me të njëjtin emër, financuar nga Universiteti i Tiranës, përmes programit UT-Kërkim, Ekselencë dhe Inovacion.Elsa Skënderi u shpreh se synimi i këtij libri studimor është hedhja dritë në praninë e ideologjisë politike në librat e gjuhës dhe leximit letrar në klasat VI-VII-VIII.

“Tekstet mësimore janë përdorur gjatë periudhës së komunizmit si mjet për ta përhapur dhe për ta ngulitur ideologjinë politike”, tha Elsa Skënderi.

Gjatë kohës së komunizmit, tekstet e gjuhës dhe letërsisë nuk kishin vetëm funksion arsimor, por edhe propagandistik. Arsimi asokohe konsiderohej një nga mjetet kryesore të edukimit politik dhe të formimit të “njeriut të ri socialist.

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof. Dr. Mark Marku theksoi se kjo temë është thelbësore për të kuptuar se si ideologjia e një shoqërie ndikon në formimin kulturor të individëve. Ai theksoi se tema është thelbësore edhe për t’u përballur me pasojat e së shkuarës, me atë që quhet inkontaminimi ideologjik i një shoqërie.

Përgjegjësi i Departamentit të Letërsisë, në Universitetin e Prishtinës, Prof. Dr. Osman Gashi theksoi se ky botim nxjerr në pah se si tekstet u përdorën për të formuar bindje të caktuara në përputhje me interesat e shtetit.

Studimi gjithashtu përfshin një krahasim midis teksteve të përdorura në Shqipëri dhe në Kosovë, për të zbuluar dallimet në trajtimin e autorëve dhe veprave letrare si dhe në qasjen ndaj mësimdhënies së gjuhës shqipe.

Gjuhëtarja Teuta Toska, theksoi se ky studim kontribuon në mbushjen e një boshllëku të rëndësishëm në studimet arsimore dhe kulturore./atsh