
Hapet në Prishtinë Java e Filmit të Frankofonisë
Është hapur në Prishtinë Java e Filmit të Frankofonisë. Këtë vit tema e kësaj jave filmi është “Moda dhe Kultura”, e që zyrtarisht këtë ngjarje e hapi premiera e filmit të Angelina Jolie, “Couture”.
Vëmendjen e publikut e rrëmbeu performanca artistike, që ndërthurte modën dhe teatrin për të reflektuar ndikimin e kinematografisë franceze në modë. Në qendër të kësaj performance u shqua aktorja e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Arta Selimi, e cila u paraqit me një veshje unike.
Veshja, e frymëzuar nga filmi klasik francez “Peau d’âne” (Lëkura e gomarit), që solli në skenë një ndjesi përralle, elegance dhe magjie, duke ndërthurur mjeshtërisht elementet e modës bashkëkohore me estetikën kinematografike të Francës.
Kjo ndërthurje mes artit të filmit dhe dizajnit të modës shënoi një moment të veçantë në hapjen e Javës së Frankofonisë, duke dëshmuar fuqinë e bashkëpunimit kulturor dhe artistik ndërmjet vendeve frankofone dhe krijuesve kosovarë./rtk