
Prishtina nikoqire e drejtorëve të bibliotekave kombëtare të Evropës Juglindore në vitin 2026
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të organizojë për herë të parë në Prishtinë takimin vjetor të Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të Evropës Juglindore (SEENL), që do të mbahet nga 28 deri më 30 shtator 2026.
Ky takim, me rëndësi të madhe për bibliotekarinë dhe bashkëpunimin kulturor rajonal, do të mbledhë në Kosovë drejtuesit e institucioneve më të larta të dijes nga vendet e Evropës Juglindore, me synim shkëmbimin e përvojave, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe forcimin e rrjeteve ndërinstitucionale.
Kandidatura e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për organizimin e këtij takimi është miratuar me mbështetje të gjerë nga anëtarët e rrjetit SEENL, duke u vlerësuar si një dëshmi e kontributit të saj në fushën e kulturës, dijes dhe ruajtjes së trashëgimisë dokumentare.
Ky është një moment historik për bibliotekarinë kosovare, që e pozicionon Prishtinën si një qendër të rëndësishme të dialogut kulturor dhe profesional në rajon.
Detajet rreth programit dhe aktiviteteve përcjellëse do të publikohen në muajt në vijim. /kultplus