
Artisti kosovar Jakup Ferri takon mbretin Charles III në Londër, një sukses tjetër për artin shqiptar në skenën ndërkombëtare
Një moment i rrallë dhe i veçantë për artin shqiptar ka ndodhur në zemër të Londrës. Artisti i njohur nga Kosova, Jakup Ferri, është takuar me madhërinë e tij, Mbretin Charles III, në një pritje zyrtare të organizuar në St James’s Palace, një nga rezidencat më të njohura mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar.
Ngjarja u zhvillua në kuadër të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku Mbretëria e Bashkuar priti figura krijuese dhe bashkëpunëtorë nga i gjithë rajoni. Në këtë event prestigjioz, Ferri u përzgjodh për të ekspozuar veprat e tij artistike, duke përfaqësuar Kosovën përkrah artistëve të tjerë ndërkombëtarë.
Në një postim në Instagram, Ferri ndau emocionet e tij pas takimit me monarkun britanik, duke shkruar se ishte “nder i madh të takonte Mbretin Charles III dhe të ekspozonte punën e tij në St James’s Palace”, teksa falënderoi British Council për ftesën dhe mundësinë për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme.
I lindur në Prishtinë në vitin 1981, Jakup Ferri është një nga artistët bashkëkohorë më të vlerësuar nga Kosova. Ai njihet për stil unik dhe poetik, ku ndërthur elemente të artit popullor me vizatime naive dhe ngjyra të forta e të gjalla.
Punimet e tij përfshijnë piktura, vizatime dhe tapiceri të endura, të cilat janë prezantuar në disa nga ekspozitat dhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Biennalen e Venecias 2022, Kunstmuseum Luzern në Zvicër dhe EMΣT – Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Athinë.