“Alegorias”, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit

“Alegorias”, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit

Kultura October 23, 2025 - 10:35

Arti është ajo fije e padukshme që ndan realitetin nga imagjinata dhe na çon në një udhëtim mes këtyre dy botëve.

“Alegorias” është shfaqja që u ngjit sot në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit duke sjellë ritmet e flamenkos dhe muzikës së Andaluzisë.

Kjo shfaqje është një mishërim i çastit kur fantazia i jep formë të padukshmes, duke e kthyer ndjenjën në lëvizje dhe mendimin në trup.

Në këtë hapësirë ku kufijtë treten, Julia Cambra dhe Paula Comitre takohen për herë të parë në skenë. Dy artiste që flasin gjuhë të ndryshme, por lëvizin në të njëjtin univers.

Në skenën e TKOB-it sot u ngjit një takim ku heshtja u bë ritëm, trupi fjalë dhe arti u bë ura që lidh botët.

“Kjo është arsyeja pse sjellim në tryezë koncepte që janë kaq të kundërta, por kaq plotësuese: vallëzimi bashkëkohor dhe flamenko, muzika bashkëkohore dhe muzika tradicionale flamenko”, thanë artistet Cambra dhe Comitre në një intervistë televizive.

Paula Comitre është vlerësuar si një nga talentet më të spikatura të flamenkos të gjeneratës së saj, duke shndërruar trashëgiminë multikulturore në një dialog artistik.

Shfaqja është pjesë e kalendarit artistik të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit në Tiranë, i cili ka parashikuar edhe një klasë kërcimi flamenko për të gjithë ata që e duan këtë disiplinë.