A është Bob Dylani me të vërtetë një filozof i së keqes?

A është Bob Dylani me të vërtetë një filozof i së keqes?

Kultura October 23, 2025 - 10:23

Ka kaq shumë kritikë, ka kaq shumë "Dylan”, shkruan Ron Rosenbaum.

Gjërat kanë ndryshuar "Bob Dylan Things Have Changed", ku ka pasur shumë lloje librash për Dylanin, histori sociale, analiza studimore, kujtime gjysmë të trilluara, të paktën dy biografi përfundimtare.

Rosenbaum, një gazetar me përvojë që e nisi karrierën në The Village Voice në Nju-Jorkun e viteve ‘70 të shekullit XX dhe që ka shkruar edhe për Hitlerin dhe Shekspirin, i ka shtuar këtij opus një vepër ku nuk mungon ambicia. Përpjekja e tij është “më pak një biografi formale për Dylanin dhe më shumë një biografi e ndikimit të tij”, ndërsa synon të shmangë kërkimet e detajeve dhe mitologjinë për të cilat beson se kritikët e tjerë janë fajtorë. “Pak vetë e lejojnë Dylanin të jetë Dylan”, shkruan ai.

Por kush është këngëtari Bob Dylan që tekstet i shkroi vetë?

Është joshëse të thuash se nuk ka një të vetëm, por një sërë maskash dhe personazhesh. Mendoni për mënyrën e tij të lirshme të përvetësimit të arketipave muzikorë, për grimin e bardhë në turneun Rolling Thunder Revue, për rolin që luan në filmin e Sam Peckinpahut, Pet Gareti dhe Billi-Kidi [Pat Garrett and Billy the Kid] me emrin “Alias”.

Sigurisht, ne mbështetemi në disa fakte. Ai ishte adhurues i madh i Woody Guthriet, mbërriti në Nju-Jork në vitin 1961 për të luajtur në klubet e Griniq-Viligjit dhe për të vizituar idhullin e tij në spital; u bë zëri i viteve ‘60 të shekullit XX që e kapërceu muzikën folk dhe konventën lirike.

Në moshën 84-vjeçare, ka shitur 125 milionë disqe në mbarë botën dhe megjithatë është i njohur për faktin se nuk i interpreton këngët që njerëzit duan të dëgjojnë; turneu i tij ende vazhdon, por ai refuzon pjesën më të madhe të publicitetit dhe (fillimisht) nuk u paraqit për të marrë Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 2016.

Ka mijëra mënyra për t’u humbur në pozat dhe tekstet e Dylanit, por Rosenbaum nuk ka frikë të thotë se ai ka gjetur kuptimin e vërtetë të këngëve. Përfundimet e tij, megjithatë, nuk janë bindëse: argumenti i tij kryesor e sheh tekstin e Dylanit përmes prizmit të “teodicisë”, ose një përpjekje për të pajtuar ekzistencën e Zotit dhe të së keqes pas Holokaustit. Provë ka pak - më e mira që kemi është spekulimi mbi ndikimin e gjyqit të Adolf Eichmannit në vitin 1961 mbi një Dylan 20-vjeçar - por, kjo nuk e ndalon Rosenbaumin të gjurmojë “zemërimin sfidues” të Dylanit deri te një “debat me Zotin” dhe te një “preokupim” i dukshëm, ndonëse kurrë i shfaqur, me Adolf Hitlerin.

Rosenbaum gjithashtu dëshiron të vërë në pah “gurët e çmuar të humbur” të Dylanit, duke përshkruar veprën e tij pas viteve ‘70 të shekullit XX si të “lënë mënjanë”. A është kjo e vërtetë? [Albumet] Time Out of Mind dhe Love and Theft janë themelore për Dylanin sot; ekziston një podkast i quajtur Jokerman (nga albumi Infidels i vitit 1983); nuk do të përqesheni më nëse e cilësoni Brownsville Girl (1986) një nga këngët e tij më të mira.

Rosenbaum qëndron kryesisht tek ato të njohurat - veçanërisht Highway 61 Revisited dhe Blood on the Tracks.

Ai injoron disa nga materialet më të pasura dhe më të çuditshme të karrierës së Dylanit, vetëm për të mbetur i hutuar gjatë nga tekste të thjeshta si: “Ajo mund të mendojë se e kam harruar. Mos i thuaj se nuk është kështu”.

Motivet e tij gjithashtu duken disi si vetë-promovuese. “Mendoj se duhet të përmend intervistën time njëjavore me Dylanin, e cila përfaqëson kohën më të gjatë që ai ia ka dhënë ndonjëherë ndonjë gazetari”, shkruan ai me një modesti të shtirur. Ishte koha kur Dylani, në një shprehje që është cituar shumë që atëherë, përshkroi kërkimin e tij për “atë tingull të hollë, të egër, të mërkurit”.

Rosenbaum ankohet për autorë të tjerë të cilët e citojnë atë “pa burim” - domethënë, pa ia atribuuar atij. Kjo të thotë shumë.

Dhe, është e mundur që Rosenbaum është aq i fiksuar pas “linjës shpirtërore mistike të Dylanit” saqë harron Dylanin e këndshëm që pëlqen të tjerr histori. (Për të qenë i sinqertë, ai humbi simpatinë time sapo e përshkroi këngën Lay Lady Lay nga albumi Nashville Skyline si një “pikë e ulët.”) Kjo nuk do të thotë se Dylani nuk ka pasur pika të ulëta - dhe Rosenbaum është përçmues ndaj adhuruesve që refuzojnë t’i pranojnë ato.

Në një moment në fund të viteve ’70 të shekullit XX, siç e thotë Rosenbaum, “fanatikët e Jezusit ia vodhën shpirtin”. Shfaqjet e tij përfshinin predikime për fundin e botës, njëkohësisht të botës së vjetër dhe të Epokës së Re - pa asnjë ironi. Nëse kalon shumë kohë me të në këtë periudhë, fillon të kesh frikë se një libër i papërqendruar, vetëlavdërues dhe herë pas here i çuditshëm si ky, mund të jetë në fakt mënyra më e mirë për të hyrë në psikikën e Dylanit.

Në fund, pas leximit të kësaj jo-tamam-biografie të Rosenbaumit, më duhej të kthehesha dhe të dëgjoja këngët për ta “kuptuar” sërish Dylanin: gjysmë-marrëzinë jokoherente Goin’ to Acapulco, maninë e kontrolluar të Desire, sharmin ngacmues të, po, Nashville Skyline. Nuk jam i bindur se Rosenbaum arrin t’i lidhë të gjitha bashkë. A është Dylani vërtet një lloj filozofi sekret i së keqes? Ndoshta ai thjesht dëshiron të argëtohet.

Kjo mund të jetë gjëja më e rëndësishme për t’u mbajtur mend: se, në thelb, Dylani është thjesht një njeri që fiton bukën me këngë.

Cilido labirint lirik që mund të na ngatërrojë në veprat e tij, ai shpesh është aty vetëm për t’u kënaqur; ta harrosh këtë do të thotë të humbasësh në vorbullën, në krijimin e miteve dhe keqinterpretimeve, te shakaxhinjtë dhe hajdutët. Pavarësisht asaj që mund ta quash origjinalitet, Bob Dylan: "Things Have Changed" nuk arrin të gjejë një rrugëdalje.