
Një shfaqje si “Mari de Buenos Aires” e sjell Flaka Gorancin në një tjetër dimension
Nesër do të shfaqet premiera e shfaqjes operistike “Mari de Buenos Aires”, shfaqje kjo që do të jepet në Sallën e Kuqe e që ndërthur tangon, poezinë dhe teatrin dhe do të interpretohet nga Kori dhe Orkestra e Operës së Kosovës, në bashkëpunim me PrIVocalFest.
Dhe pikërisht në këtë shfaqje, mezosopranoja Flaka Goranci është duke u sfiduar edhe në disa dimensione të tjera, përpos asaj që ka rolin kryesor në këtë shfaqje.
Artistja Goranci mbi supet e saj ka marr edhe rolin e regjisë së kësaj shfaqjeje, kotsumografisë e skenografisë, detyra që për artisten Goranci janë një plotësim artistik, gjithnjë duke iu referuar përvojës së saj në shumë teatro operistike të Evropës.
“Fakti që e kam interpretuar më parë këtë rol në një produksion të madh dhe që e njoh veprën, le të themi, shumë mirë më ka ndihmuar shumë. Përmes gjithë përvojës sime me produksione të mëdha operistike, por edhe duke punuar me regjisorë shumë të mirë, jo vetëm të operës, por edhe të teatrit, kjo ka qenë një ndihmë e madhe pas gjithë kësaj eksperience.
Dhe natyrisht, mbetet përsëri koncepti im dhe ideja ime ajo që duhet të krijoj këtu. Pra, ka qenë një sfidë e madhe, por nga pervoja artistike dhe studimet e mia rreth vepres kam arritur të sjell këtu konceptin tim, të cilin do ta shohim nesër në premierë”, ka thënë Goranci e cila shpjegon se kjo shfaqje vjen si kooproduksion i Operes së Kosoves dhe Festivalit Privokal Fest.
Goranci krejt angazhim në këtë shfaqje operistike e konsideron sfiduese, sepse, sipas saj është dashur të njohë punën e rreth 50 muzikantëve, këngëtarëve, aktorëve dhe kërcimtarëve.
“Por edhe për të njohur veten time gjatë këtij procesi. Për të qenë e sinqertë, ka momente kur gjithçka duket e tejmbushur dhe e lodhshme, por, po aq sinqerisht, ka edhe momente kur ndiej një përmbushje më të madhe se kurrë më parë. Këtu kam prekur realitetin e skenës operistike, me të gjitha sfidat që te dalin perpara. Por nga ana tjetër, jam vërtet e impresionuar nga energjia e të rinjve, nga dëshira e tyre për të bërë gjërat mirë, si edhe nga gjithë mbështetja që kam marr nga shumë teatro dhe bashkëpunëtorët e mi.”, ka thënë Goranci e cila ka thënë se pikërisht kjo shfaqje, është njëra prej shfaqeve që e ka ëndrruar që ti japë kaq shumë dashuri dhe po kjo shfaqje është sinjal se artistja Goranci do të vazhdojë të punojë edhe më tutje në dimensione të shumëfishta në krijimin e një shfaqje operistike.
Flaka Goranci e cila është duke qëndruar në Prishtinë tash e sa ditë për rrumbullakimin e këtij projekti e potencon sfiduese mungesën e sallës dhe si pasojë e kësaj mungese duhet të bëhen shumë përshtatje deri në finalizimin e punëve.
“Më duhet ti falenderoj jashtëzakonisht drejtuesit e Teatrit Dodona, Teatrit Kombetar, Teatrit Oda për gjithë ndihmën e ofruar, Festivalit Privokal Fest dhe Operës së Kosovës që punojnë në kushte shumë të vështira, dhe gjithsesi nuk ndalojnë së punuari. Poashtu edhe shumë personave që punojnë me shumë dashuri dhe pa kursim për ta bërë të mundur realizimin e një shfaqjeje të tillë komplekse në salla që duhet bërë një përshtatje e jashtëzakonshme”, ka thënë Goranci.
Ndërkohë, se pas premierës së kësaj shfaqje në Prishtinë, nëse janë mundësitë që kjo kastë të prezantohet edhe në ndonëj vend tjetër, duke pas parasysh se Goranci jeton në Vjenë, ajo ka thënë se roli i Marias është rol i repertorit të saj tash e disa vite, dhe se për vitin tjetër pritet të ketë risi, por që do të bëhen publike gjatë vitit që ardhshëm.
Dhe përpos rolit në shfaqjen operistike “Mari de Buenos Aires”, për fund, Goranci ka thënë se e presin edhe shumë angazhime të tjera, duke përfshirë debutimin në Musikverein të Vjenës, dhe më pas edhe koncerte në Gjermani, Sllovaki…
Shfaqja operistike “Mari de Buenos Aires” do të prezantohet më 21 tetor në Sallën e Kuqe të Prishtinës, me fillim në ora 19:30. Përpos Flaka Gorancit në këtë shfaqje me rolet e tyre do të paraqiten edhe: Rizah Jahaj- El Payador, Alban Goranci- El Duende.
Flaka Goranci është trefish e nominuar nga Opus Klassik (2023) me projekt CD-në e saj “LA FEMME A Journey of Female Composers”, një CD me vepra nga kompozitore gra nga e gjithë bota.
Flaka Goranci ka performuar në skena ndërkombëtare si në Theater an der Wien, në Festivalin Erl në Tirol, në Operën e Magdeburgut, në Festivalin Alden Biesen në Belgjikë, Konzerthaus Berlin, në Vienna Konzerthaus etj. /kultplus