
Policia spanjolle heton zhdukjen e një pikture të Picassos
Një pikturë e Pablo Picasso-s ka rezultuar e zhdukur gjatë transportit drejt një ekspozite në Qendrën Kulturore CajaGranada në Granadë. Vepra në gouache, e vitit 1919 dhe e titulluar “Natyrë e qetë me kitarë”, ka përmasa 12.7 x 9.8 cm dhe ishte pronë e një koleksionisti privat. Ajo ishte e siguruar për 600 mijë euro (rreth 700 mijë dollarë).
Sipas Fondacionit CajaGranada, të premten para hapjes së ekspozitës, një furgon transporti mbërriti nga Madridi dhe të gjitha veprat u zhvendosën pa ndërprerje nga furgoni në sallën e ekspozitës. Dorëzimi u regjistrua dhe paketat mbetën nën mbikëqyrje me video gjatë fundjavës.
Megjithatë, kur stafi filloi të shpaketonte veprat të hënën në mëngjes, u vu re se piktura e Picasso-s mungonte. Fondacioni njoftoi menjëherë policinë, e cila ka nisur hetimet për të përcaktuar se kur dhe ku u zhduk kryevepra. Aktualisht, vepra është futur në bazën ndërkombëtare të veprave të artit të vjedhura, por nuk ka raportime për bashkëpunim policor ndërkombëtar.
Pikturat e Picasso-s shpesh janë objekt grabitjesh dhe shiten për shifra marramendëse. Për shembull, në vitin 2019, një kryevepër e tij u rikthye pas 20 vjetësh nga një detektiv holandez, ndërsa vite më vonë autoritetet greke dhe belge gjetën vepra të tjera të vjedhura të Picasso-s dhe artistëve të tjerë.
Policia e Granadës konfirmon se hetimi për zhdukjen e “Natyrës së qetë me kitarë” vazhdon./cnn