
Ceremonia e çajit sjell në Tiranë elegancën dhe shpirtin e traditës japoneze
Java Kulturore Japoneze solli në kryeqytet një nga traditat më të vjetra dhe më elegante të kulturës japoneze, ceremoninë e çajit, duke ofruar një përvojë të veçantë për të gjithë të pranishmit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja përcolli ceremoninë e zhvilluar në kuadër të Javës Kulturore Japoneze.Të ftuarit, mes tyre personalitete të fushave të ndryshme dhe diplomatë, në një skenë plot harmoni, përjetuan nga afër artin delikat të përgatitjes dhe shërbimit të çajit, një rit i lashtë që mbart në vetvete respektin, përulësinë dhe bukurinë e thjeshtësisë, teksa tingujt e butë të muzikës japoneze shoqëronin çdo lëvizje të mjeshtrave të çajit.
Mjeshtrit japonez prezantuan me kujdes çdo hap të këtij rituali, duke i dhënë publikut një pasqyrë të thellë të filozofisë dhe estetikës japoneze.
Ceremonia japoneze e çajit, e njohur si “Chanoyu” ose “Sadë/Chadë” (“Rruga e çajit”), është një traditë që daton që nga shekulli XV dhe lidhet ngushtë me filozofinë zen.
Ajo përfaqëson harmoni, respekt, pastërti dhe qetësi. Në këtë ceremoni përdoret çaji pluhur jeshil matcha, i cili përgatitet dhe shërbehet me një saktësi rituale. Çdo lëvizje, nga pastrimi i enëve deri te servirja, është pjesë e një koreografie të menduar për të nderuar mysafirin dhe për të krijuar një moment paqeje dhe lidhjeje njerëzore.
Java Kulturore Japoneze synon të afrojë qytetarët shqiptarë me traditat e pasura të Japonisë përmes një sërë aktivitetesh artistike, edukative dhe promovuese që zhvillohen në Tiranë gjatë gjithë javës./atsh