Dokumentari “Katër masa shpirti” për Kujtim Laron, në garë në festivalin prestigjioz “Prix Italia” në Napoli

Dokumentari “Katër masa shpirti” për Kujtim Laron, në garë në festivalin prestigjioz “Prix Italia” në Napoli

Kultura October 16, 2025 - 17:56

Dokumentari “Katër masa shpirti”, me regji të Albana Kozelit, do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 77-të të konkursit ndërkombëtar “Prix Italia”, që mbahet në Napoli nga 20 deri më 24 tetor 2025. Ky festival, i organizuar nga RAI prej më shumë se shtatë dekadash dhe nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Italisë, është një ndër ngjarjet më të njohura ndërkombëtare kushtuar televizionit, radios dhe mediave dixhitale.

Filmi dokumentar, një prodhim ekskluziv i Radio Televizionit Shqiptar, i kushtohet ikonës së muzikës shqiptare për filmin, kompozitorit të ndjerë Kujtim Laro. “Katër masa shpirti” është një udhëtim emocional dhe artistik që ndjek trashëgiminë e Laros përmes mbi 35 kolonave zanore që kanë shoqëruar disa prej filmave më të rëndësishëm të kinemasë shqiptare.Me montazhin e ndjeshëm dhe ritmik të Gjergj Panos dhe analizat e Holta Sinës, dokumentari sjell në dritë anët më intime të krijimtarisë së Laros – frymëzimet, brengat dhe përjetimet që formësuan muzikën e tij.

Filmi u shfaq premierë këtë vit në prag të ditëlindjes së Kujtim Laros, në kinema “Millenium”, duke u pritur me interes të veçantë nga publiku dhe komuniteti artistik.

Kujtim Laro (1947–2004), lindur në Vlorë, ishte një nga figurat më të rëndësishme të muzikës shqiptare. Ai la pas një trashëgimi të pasur me kolona zanore filmash, këngë festivalesh dhe kompozime të veçanta që mbeten pjesë e pandarë e historisë së kulturës sonë./rtsh