
Vdes Drew Struzan, gjeniu i posterave të filmave që formësuan historinë e kinemasë
Artisti legjendar i posterave të filmave, Drew Struzan, i njohur për krijimin e veprave të artit ikonike për filma si “Star Wars”, “Indiana Jones” dhe “Back to the Future”, ka vdekur sot në moshën 78-vjeçare.
Drew Struzan ishte një gjeni i posterave që formësuan historinë e kinemasë, sipas “Rolling Stones Italia”.“Askush nuk vizatonte si ai”, tha Steven Spielberg, një nga regjisorët më të mëdhenj dhe më me ndikim në historinë e kinemasë.
Në fillim të karrierës së tij, ai dizajnoi kopertina albumesh për artistë si, Beach Boys, Bee Gees, Earth dhe Wind & Fire, dhe ilustroi kopertinën e këngës “Welcome to My Nightmare” të Alice Cooper.
Në fund të viteve 1970, Struzan u angazhua në krijimin e një imazhi të ri për ribotimin e “Star Wars” të vitit 1978.
Që prej kësaj periudhe, ai formësoi fjalë për fjalë imagjinatën tonë kinematografike, nga pjesët e tjera të “Star Wars” te “Blade Runner”, nga “E.T. – “The Extra-Terrestrial” te “Back to the Future”, nga saga “Indiana Jones” te “The Goonies”, nga “The Shawshank Redemption” te “Big Trouble in Little China”, te “Harry Potter and the Sorcerer’s Stone”.
Marsin e kaluar, bashkëshortja e tij njoftoi se Struzan vuante nga sëmundja e Alzheimerit.
“Ai nuk mund të pikturojë më asgjë për ju”, tha ajo.
“Drew ishte një forcë e natyrës. Si një vorbull, ai nuk mund të ndalej, zbutej apo manipulohej. Fuqia e tij nuk u shua kurrë. Ne e respektonim këmbënguljen dhe aftësinë e tij për t’u kapur pas zjarrit të brendshëm që vazhdonte të ndizej”, shkroi familja e tij në një postim ne media sociale.
“Drew ishte një artist i kalibrit të lartë. Ilustrimet e tij kapën në mënyrë të përsosur emocionin, tonin dhe frymën e secilit prej filmave të mi që mishëronin veprat e tij”, shkroi George Lucas, një regjisor dhe filantrop amerikan i njohur për “Star Wars” dhe “Indiana Jones”.
“Bota ka humbur një njeri dhe komunikues të shkëlqyer, një artist suprem. Kam humbur një mik të dashur”, tha Guillermo del Toro, një regjisor, autor dhe artist meksikan./atsh