
Zbulimi i mundshëm i identitetit të “Vajzës me Vath Perle” nga Vermeeri
Një historian arti ka pretenduar se ka zbuluar identitetin e vajzës ikonike në pikturën e Johannes Vermeer, “Vajza me Vath Perle”, sipas raportimeve të Daily Mail.
Ai sugjeron se vajza në pikturë mund të jetë Magdalene, vajza 10-vjeçare e patronëve të hershëm të Vermeerit, Pieter van Ruijven dhe Maria de Knuijt, të cilët i përkisnin doktrinës protestante Arminianizëm. Historiani Andrew Graham-Dixon për Sunday Times shton se vajza është paraqitur me simbolikë të ngjashme me Maria Magdalena, duke theksuar thellësinë e ndjenjave të saj.
Megjithatë, ekspertët e tjerë, përfshirë Ruth Millington, autore e librit Muza: Zbulimi i Figurave të Fshehura Pas Kryeveprave të Historisë së Artit, thonë se piktura nuk duhet interpretuar si portret i një personi real, por si një imazh imagjinar që synon të magjepsë dhe të lërë hapësirë për interpretim.
“Sharmi i kësaj pikture qëndron pikërisht në misterin e saj. Nuk ka për qëllim të jetë një portret biografik, por një figurë simbolike që na tërheq përsëri dhe përsëri”, tha Millington për Daily Mail.
Piktura, e realizuar në vitin 1665, mbetet një nga kryeveprat më të njohura të Vermeerit dhe një nga ikonat më të famshme të artit holandez. /kultplus