“ReMusica” vjen sivjet me “Contrast”, përfshihen 18 koncerte dhe mbi 160 pjesëmarrës

“ReMusica” vjen sivjet me “Contrast”, përfshihen 18 koncerte dhe mbi 160 pjesëmarrës

Kultura October 14, 2025 - 12:23

Është edicioni i 24-t i festivalit "ReMusica", festival që do të fillojë më 27 tetor dhe do të zgjasë deri më 31 tetor, shkruan KultPlus. 

Organizatorët kanë bërë të ditur se edicioni i sivjetshëm i festivalit ReMusica, me temën “Contrasts”, eksploron ndërthurjen mes traditës dhe modernitetit në muzikë, duke vënë në pah kontrastet stilistike dhe gërshetimin e natyrshëm të këtyre botëve. 

Ndërkohë, gjatë pesë ditëve të festivalit, me 18 koncerte dhe mbi 160 pjesëmarrës,festivali do të bashkojë artistë nga vendi dhe Evropa për të reflektuar mbi dialogun mes traditës dhe modernitetit, marrëdhënien e festivaleve me qytetin, rëndësinë e mbështetjes së artistëve në zhvillim. 

“Në  skenën e ReMusicas do të ngjiten emra të shquar si violinisti i mirënjohur Tedi Papavrami dhe pianistja Maki Okada, dyshja Leleu Brothers nga Franca – trumpetisti Romain Leleu dhe tubisti Thomas Leleu, ansambli vokal i ReMusicas, ReVocal Ensemble, me dirigjent Rafet Rudi, katërshja atraktive e klarinetëve nga Amsterdami – Nieuw Amsterdams Klarinet Kwartet, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, ansambli Zefiro Torna dhe shumë emra të tjerë! Përtej këtyre koncerteve ReMusica mirëpret ansamblin Zefiro Torna me Alon Sariel, Jurgen de Bruyn, Christos Barbas, Elly Aerden si artistë rezidentë të festivalit dhe Agona Shporta e cila i bashkohet ansamblit për një bashkëpunim të veçantë. Programi do të përfshijë edhe koncerte të xhepit ku publiku mund të zbulojë artistë unikë, koncerte tematike apo autorë në fokus”, thuhet në njoftimin e organizatorëve. 

Kurse në këtë festival është përfshirë edhe ReMusica Junior, e që do të rikthehet me një program të veçantë për fëmijë, që përfshin koncerte, punëtori dhe aktivitete interaktive të krijuara për të nxitur kuriozitetin dhe kreativitetin e tyre, ndërsa Platforma ReNew vazhdon misionin e mbështetjes së artistëve në zhvillim. 

“Gjatë periudhës 27–31 tetor, festivali 'ReMusica' do të ofrojë jo vetëm programe artistike, por edhe hapësira për rrjetëzim dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, thuhet në fund të njoftimit ./kultplus