
Në Prishtinë nisi Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë
Në kryeqytet ka filluar edicioni i tretë i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijët. Organizatorët e këtij festivali thanë se qëllimi është ngritja e vetëdijes për lexim përmes lojës e argëtimit tek fëmijët.
Ne sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet sot ka filluar Festivali dhe panairi i librit për fëmijë, ku në hapjen e këtij festivali e pranishme ishte edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
“Të gjithë ju që lexoni sot, nesër do të jeni qytetarë të ditur, qytetarë të mençur të këtij vendi. Ju do ta ndërtoni Kosovën shumë më të zhvilluar, ndaj kjo është arsyeja pse duhet të lexoni çdo ditë qoftë edhe një faqe të vetme”, tha Osmani.
Ndërkaq një nga organizatorët e këtij festivali, Agon Berisha, tha se qëllimi i kësaj ngjarjeje është që përmes lojës fëmijët t'i nxisin të lexojnë, për shkak se vlerësohet se kohët e fundit pak po lexohet në vendin tonë.
“Ky është edicioni i tretë me radhë. Natyrisht, do të vazhdojmë edhe në vitet e ardhshme. Deri tani, çdo vit kemi arritur ta rrisim festivalin, sidomos për nga numri i pjesëmarrësve, për shkak se shkollat, prindërit dhe, në përgjithësi, komuniteti në Kosovë e ka kuptuar që po organizohet një ngjarje e tillë çdo vit. Deri tani, të paktën prej dy edicioneve të kaluara, të gjitha palët dhe pjesëmarrësit janë ndarë të kënaqur,” tha Agon Berisha, organizator i festivalit.
Shitësit në këtë panair shprehen të kënaqur me interesimin për blerjen e librave që në hapje.
“Ky panair është një mundësi që ata të ekspozojnë më shumë libra, dhe në momentin që i ekspozojnë më shumë, do të jenë edhe më kuriozë për të lexuar dhe për t’u interesuar më shumë për letërsinë,” tha Liridona Bytyçi.
Ky festival do të jetë i hapur deri të shtunën, duke filluar nga ora 10:00 deri në orën 18:00 dhe këtë vit është edicioni i tretë./rtk