
Fillon Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë, Osmani u bën thirrje fëmijëve për lexim
Ka filluar edicioni i tretë i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë.
Interesimi i fëmijëve ishte i madh, e pranishme ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo u ka bërë thirrje fëmijëve që sa më shumë të lexojnë, ku ua ka cituar një thënie të një shkrimtari amerikan.
“Ju e dini shumë mirë, por është mirë që sërish ta përsërisim që sa më shumë që lexon, aq më shumë gjëra do të dish. Sa më shumë që mëson, aq më shumë vende do të keni mundësi që të vizitoni kur të rriteni. Kështu ka thënë një ndër shkrimtarët më të njohur amerikanë dhe unë e di që ju i dëshironi të dyjat, edhe të dini shumë, edhe të vizitoni shumë, sepse çdoherë që hapim një libër, ne nuk hapim vetëm faqet e tij, por hapim edhe dritaret e botës e të dijes. Sot në edicionin e radhës të Panairit të Librit për Fëmijë jemi mbledhur për ta festuar mrekullinë, që vjen bashkë me leximin e librave për fëmijë”, tha Osmani.
Liridona Bytyqi nga libraria “Dukagjini” për Ekonominë Online tha se sot ka pasur interesim për të blerë libra nga ky panair.

“Nuk kemi një orë që kemi filluar dhe veçse kanë ardhur shumë fëmijë me prindër apo grupe të organizuara me mësues kështu që po besojmë se do të ketë ende më shumë interesim”, tha ajo.