Shkencëtarët amerikanë fitojnë Çmimin Nobel për zbulime në fizikën kuantike

Shkencëtarët amerikanë fitojnë Çmimin Nobel për zbulime në fizikën kuantike

Kultura October 07, 2025 - 19:25

Shkencëtarët amerikanë John Clarke, Michel Devoret dhe John Martinis fituan Çmimin Nobel për Fizikë 2025 për “eksperimentet që zbuluan fizikën kuantike në veprim”, duke hapur rrugën për zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të teknologjive digjitale.

“Jam totalisht i tronditur. Nuk më kishte shkuar kurrë në mendje se kjo mund të ishte baza e një Çmimi Nobel,” tha Clarke përmes telefonit në konferencën për shtyp të Nobelit të martën.

Eksperimentet e tyre në vitet 1980 me një qark elektronik nga superpërcjellësit treguan se mekanika kuantike mund të ndikojë edhe tek objektet e përditshme nën kushte të caktuara.

“Është e mrekullueshme që mekanika kuantike, e cila ka një shekull jetë, vazhdon të ofrojë surpriza të reja. Ajo është gjithashtu baza e të gjitha teknologjive digjitale,” tha Olle Eriksson, kryetar i Komitetit Nobel për Fizikë, shkruan Reuters.

Teknologjia kuantike është tashmë e përhapur, me tranzistorët në mikroçipet e kompjuterëve si shembull të përditshëm. Çmimi i këtij viti hap mundësi për zhvillimin e kompjuterëve kuantikë, kriptografisë dhe sensorëve kuantikë, që mund të ndihmojnë edhe në zgjidhjen e sfidave si ndryshimet klimatike.

Kompjuterët kuantikë përdorin parimet e mekanikës kuantike për llogaritje komplekse dhe analiza që kompjuterët tradicionalë do të merrnin miliona vjet për t’i kryer, por teknologjia ende ka sfida dhe afatet për përdorim komercial mbeten të paqarta./rtk