
Shkodra ruan traditën e përkthimit – Përkthyesi Zija Vukaj po pasuron letërsinë me autorë të mëdhenj
Shkodra ka qenë gjithmonë një vatër e rëndësishme e përkthimit, duke sjellë përmes brezave letërsinë botërore në gjuhën shqipe. Këtë traditë e vijon sot me dinjitet shkrimtari dhe përkthyesi Zija Vukaj, i cili ka sjellë për lexuesin shqiptar një nga kryeveprat e letërsisë për fëmijë: “Aventurat e Pinokut” të Carlo Collodi-t.
Në panairin e librit mbajtur këtë vit në Prishtinë, përkthimi i tij u vlerësua si më i miri duke e rikonfirmuar Shkodrën si një qendër të gjallë të kulturës e të letërsisë. Megjithatë, Vukaj shpreh indinjatën e tij për faktin që kjo vepër e rëndësishme ende nuk është pjesë e programit shkollor të letërsisë për fëmijë.
“Ka hyrë gjithçka në letërsi për fëmijët, në programet shkollore në kurrikulat, ndërsa “Pinoku” nuk qenë, e di se ka pas mangësi kur është botuar për herë të parë”, u shpreh Vukaj.
Profesor Vukaj ndalet edhe tek ndikimi i inteligjencës artificiale në kohën moderne, duke theksuar se ajo nuk mund të zëvendësojë dot njeriun në përkthim.
“AI e ka krijuar njeriu, ajo është e ftohtë dhe është e mirë për të marrë informacion”, tha ia.
Me punën e tij, Vukaj jo vetëm që i ofron fëmijëve shqiptarë mundësinë të njihen me letërsinë klasike botërore, por edhe e mban gjallë një traditë të vyer kulturore që Shkodra e ka trashëguar brez pas brezi./rtsh