
Këta janë fituesit e Festivalit Ndërkombëtar të Video Artit “Gjon Mili” 2025
Edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Video Artit “Gjon Mili” u zhvillua këtë vit në tri qendra të ndryshme: Korçë, Dhërmi dhe Manhattan, duke sjellë një qasje të re dhe shumëplanëshe mbi artin e imazhit në lëvizje. Programi kuratorial i ndërtuar me kujdes u përpoq të shpalosë jo vetëm çfarë tregohet në ekran, por edhe arsyet pse tregohen historitë përmes videos sot, në një epokë të shënuar nga krizat ekologjike, konfliktet, teknologjitë e reja dhe gjuhët e përziera artistike.
Festivali funksionoi si një platformë ndërkombëtare për zëra të guximshëm, duke ndërthurur kinemanë me artin pamor, performancën me dokumentarin dhe botën fizike me atë virtuale. Qasja tri-qendrore krijoi tre lexime të ndryshme:Korça u lidh me arkivat historike dhe memorien qytetare;
Dhërmiu u shndërrua në një hapësirë reflektimi mbi ekologjinë dhe mbetjet;
Manhattan-i solli ritmin e qytetit global dhe marrëdhënien midis artit eksperimental dhe tregut të industrive kulturore.
Krahas shfaqjeve, diskutimet publike ngritën pyetje të rëndësishme: a po i japim shumë fuqi imazhit si provë? A mund të shndërrohet performanca video në një formë të re meditimi publik? Si e ndryshon VR marrëdhënien e shikuesit me rrëfimin?
Fituesit kryesorë të edicionit 2025:
Best Video Art & Experimental – SeaMonster II nga Eleni Mylonas (SHBA), një instalacion-performancë mbi mbetjet dhe ritmin ritual të detit.
Best Animation Film – Lichtung nga Aria Wolf (Gjermani), një eksperiencë VR ku spektatori bëhet pjesë aktive e rrëfimit.
Best Short Film – No horses on Mars nga Bea de Visser (Holandë), një “road film” i parë nga perspektiva e një kali.
Best Short Documentary – The Sight is a Wound nga Parham Ghalamdar (Iran/MB), një reflektim poetik për kufijtë e imazhit përballë dhunës.
Audience Choice Award – Goin’ Down The Road nga Brian R Donnelly (Kanada), një portret urban i Torontos përmes fragmenteve filmike dhe arkivore.
Një edicion me ndikim
Ky edicion i “Gjon Mili”-t do të mbahet mend për guximin kuratorial, dialogun me hapësirat dhe për veprat fituese që dëshmuan se video arti mbetet një laborator i domosdoshëm i mendimit pamor sot.
Në një kohë kur imazhi shpërndahet me shpejtësi të frikshme, festivali rikujtoi se të shohësh kërkon kohë dhe vëmendje. Vepra si SeaMonster II, Lichtung apo The Sight is a Wound e shndërruan ekranin në hapësirë meditimi, ndërsa publiku doli prej tyre jo me përgjigje të mbyllura, por me më shumë kureshtje dhe reflektim./KultPlus