
Sahati i kalasë së Gjirokastrës rikthehet në funksion pas shumë vitesh
Pas shumë vitesh në të cilat sahati i Kalasë së Gjirokastrës kishte ndaluar së punuari, tashmë është rikthyer sërish në jetë.
Me tingujt e këmbanores dhe mekanizmin e tij të restauruar, falë ndërhyrjes së Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, ky simbol i qytetit nuk shënon më vetëm orët, por edhe një faqe të re në kujdesin për trashëgiminë kulturore.
“Pas shumë përpjekjeve, e vumë në punë sahatin, i cili u tregon gjirokastritëve se koha ecën. Me shumë përkushtim u munduam ta rregullojmë këtë sahat, i cili prej 20 vjetësh nuk funksiononte. Mendoj se me këtë investim që kemi bërë, ora e Gjirokastrës do të funksionojë normalisht. Ishte një investim i Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës të Gjirokastrës, e cila bëri një restaurim të sahatit. Ora tani është në punë,” tha Vaso Polo, inxhinier pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër.
Sahati i Kalasë së Gjirokastrës, i ndërtuar në shekullin XIX, sot vazhdon të tregojë më shumë se orën.
Me rikthimin e tij në funksion, ai nuk është vetëm një objekt i restauruar, por një simbol që i jep jetë qytetit dhe i kujton brezave se Gjirokastra mbetet një histori që do të vazhdojë gjatë./rtsh