Spektakël pelikanësh në lagunën e Karavastasë

Spektakël pelikanësh në lagunën e Karavastasë

Kultura September 30, 2025 - 22:48

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta vitet e fundit është kthyer në një destinacion të turizmit të vrojtimit të shpendëve dhe jo vetëm, ku përveç flamingove dominojnë edhe pelikanët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga spektakli i pelikanëve mbi lagunën e Karavastasë.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve lagunorë tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Vrojtimi në distancë nga qendra e vëzhgimit e ngritur enkas në parkun Divjakë-Karavasta ofron eksperiencë të papërsëritshme.

“Personazhi” kryesor i lagunës, pelikani kaçurrel, impresionon turistët me ngjyrat e bardha, portokalli dhe gri, ndërsa pesha mesatare prej 11,5 kilogramë e bën shpendin më të rëndë në botë të gjinisë së vet.

Laguna e Karavastasë radhitet ndër lagunat me rëndësi për llojet shtegtare dhe si habitat i mbi 20 mijë shpendëve dimërues.

Gjatë verës, laguna frekuentohet edhe nga shpendë të tjerë. Ajo është e njohur për koloninë e madhe të pelikanit kaçurrel, e vetmja pikë folenizimi bregdetar të Shqipërisë.

Ndalimi i gjuetisë për një periudhë të caktuar ka sjellë shtimin e dukshëm të kolonisë së pelikanëve, madje edhe të flamingove të cilët ishin tepër të rrallë./atsh