“Marubit” i dhurohet pjesa e fundit e koleksionit fotografik të çiftit Dokle

“Marubit” i dhurohet pjesa e fundit e koleksionit fotografik të çiftit Dokle

Kultura September 29, 2025 - 16:23

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është institucioni që mban rekordin kombëtar për numrin më të madh të koleksioneve fotografike të dhuruara, duke e kthyer atë në një qendër të rëndësishme për ruajtjen dhe studimin e kujtesës vizuale shqiptare.

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, “Marubi” njoftoi se tashmë disponon edhe pjesën e fundit të koleksionit fotografik të Safet dhe Gjylzade Dokles.

Pjesa e mbetur e koleksionit të dhuruar 3 vjet më parë, përbëhet prej rreth 14.146 negativësh, 2 albume fotografike, 2 regjistra dhe 840 fotografi të stampuara. Me këtë shtesë, tërësia e materialeve të dhuruara nga familja Dokle arrin në 33694 negativë, 33 albume fotografike, 33 objekte nga laboratori fotografik, 2 regjistra dhe 8835 fotografi të printuara.

Në vitin 2022, Ramadan Dokle, së bashku me familjarët e tij i dhuroi Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” një pjesë të koleksionit fotografik të prindërve të tij, Safet dhe Gjylzade Dokle. Ramadan Dokle tregoi një pasion të jashtëzakonshëm në ruajtjen, katalogimin dhe digjitalizimin e këtij koleksioni, duke u kujdesur që çdo material të trajtohej me kujdes, duke e ndjekur me përkushtim këtë proces deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Pas ndarjes nga jeta të Ramadan Dokles, familja vijoi rrugën e tij, duke dëshmuar sërish bujarinë e saj përmes dhurimit të pjesës së mbetur të koleksionit, me fotografitë të cilat ai i kishte më përzemër.

Koleksioni i Safet dhe Gjylzade Dokle përfaqëson sot kontributin më të madh dhe të rëndësishëm të pas viteve ’90 dhuruar një muzeu në Shqipëri.

Aktiviteti fotografik i Safet dhe Gjylzade Dokles u zhvillua në rrethin e Kukësit, dhe shtrihet në një periudhë kohore prej afro katër dekadash, nga viti 1930 deri në vitin 1970. Ky koleksion pasqyron një dokumentacion të çmuar të jetës politike, shoqërore dhe kulturore të Shqipërisë Verilindore, duke përfshirë rituale, tradita dhe momente të jetës së përditshme që sot kanë vlerë të jashtëzakonshme studimore./atsh