Nga Roma në Paris - homazhe për zonjën e madhe të kinemasë, Claudia Cardinale

Nga Roma në Paris - homazhe për zonjën e madhe të kinemasë, Claudia Cardinale

Kultura September 25, 2025 - 10:26

Në Romë, në Paris apo edhe në qytezën e Nemourit, ku ajo jetonte, homazhet vërshuan sot paradite dhe pasdite në nderim të Claudia Cardinales, zonjës së madhe të kinemasë, e cila vdiq dje.

Cardinale punoi me regjisorët më të mëdhenj të shekullit XX.

Lëvdatat erdhën së pari nga bota e kinemasë, në të cilën Claudia Cardinale ishte një ikonë botërore, duke realizuar pothuaj 150 filma me Luchino Visconti, Federico Fellini, Richard Brooks apo Sergio Leone.

“Ajo ishte ylli më i bukur i periudhës më të bukur dhe më të pasur të kinemasë sonë”, thanë drejtuesit  e studios legjendare romane ”Cinecittà”, ku u xhiruan disa prej filmave të saj, Antonio Sachone dhe Manuela Caciamani.

Në instagram Bienalja e Venecias, e cila mban Festivalin e Filmit, i bën homazh kujtimeve të një aktoreje unike dhe të paharrueshme që ndriçoi kinemanë italiane dhe atë të huaj.

E paharrueshme në “The Leopard”, “Once Upon a Time in the West” or “Eight and a Half”, Claudia Cardinale mishëroi Rilindjen Italiane të viteve ’60, shkëlqeu në Hollivud, në Francë si dhe në Gjermani me Werner Herzog.

Nëpërmjet Delegatit të Përhershëm, Tieri Fremo, Festivali i Filmit në Kanë i bëri homazh “një gruaje italiane aventuriere, të lirë dhe të zjarrtë, që robëroi zemrat tona film pas filmi, gjithmonë duke rrezatuar lumturi dhe guxim”.

Liderët e shtetit italian dhe francez u bashkuan homazheve për këtë aktore të lindur në La Goulette, në Tunizi, me 15 prill 1938 nga një mama franceze dhe një baba siçilian.

Ajo la shenjë në jetën time! 

Presidenti italian, Sergio Mattarella foli për  figurën e një artisteje të jashtëzakonshme, një heroine të paharrueshme të kinemasë italiane dhe ndërkombëtare, ndërsa homologu i tij francez Emmanuel Macron e përshkroi atë si një artiste që përqafoi lirinë.

“Claudia Cardinale mishëronte një vizion, një talent që i shtonte aq shumë veprave të më të mëdhenjve nga Roma në Hollivud dhe Paris, të cilin ajo e zgjodhi si atdheun e saj”, shtoi ai në platformën X.

Në moshën 17-vjeçare, Claudia Cardinale fitoi një konkurs bukurie, që ia ndryshoi jetën në mënyrë dramatike.

Në moshën 22-vjeçare, e ftuar në Festivalin e Filmit në Venecia ajo elektrizoi botën e kinemasë që para se të niste xhirimet për filmin “Roko and his brothers” (1960) të Luchino Viscontit.

Regjisori italian do t’i jepte disa vite më vonë një nga rolet e saj më të mëdha në “The Leopard” përkrah Alain Delon dhe Burt Lankaster në vitin 1963.

“Një yll botëror, aktorja bënte gjithmonë një jetë të thjeshtë për figurën e saj”, u shpreh vajza e saj Claudia Squitieri, e cila jetonte me të në Nemour, në një hapësirë ku ndodhej shtëpia e saj dhe fondacioni ”Claudia Cardinale”, një vend për mikpritjen dhe promovimin e artistëve të rinj.

“Jam shumë e lumtur që kam mundur të ndaj me të vitet e saj të fundit, në festa dhe në jetën dinamike të këtij vendi. Mendoj se ka jetuar e lumtur këtu”, u shpreh ajo.

Mbi portën jeshile të shtëpisë së saj, disa persona anonimë vendosën lule, ashtu si Patricia, një zonjë 60-vjeçare, e cila tha se aktorja që kishte lënë shenjë në jetën e saj.

“I flisja shpesh për filmin “Once Upon a Time in the West” dhe secilën herë ajo më thonte se kishte dhe filma të tjerë dhe më tregonte për prapaskenat e tyre”, kujton një fqinj i saj. /atsh