Kurti: Petrovci ndriçonte çdo bisedë, Kosova humbi një thesar kombëtar

Kurti: Petrovci ndriçonte çdo bisedë, Kosova humbi një thesar kombëtar

Kultura September 22, 2025 - 17:46

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur dhimbje të thellë për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut të shquar, Enver Petrovci. Ai e përshkroi Petrovcin si një personalitet me kujtesë energjike dhe mendim të qartë, i cili përçonte frymëzim dhe liri shprehjeje në çdo takim, duke ndriçuar bisedat me humor dhe vështrime lucide.

“Petrovci ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit në Kosovë, si dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, i dashur për shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai kontribuoi në ngritjen e teatrit dhe filmit kosovar në arenën vendore, rajonale dhe evropiane”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

Ai tha se Kosova humbi një thesar kombëtar.

“Kosova humbi sot një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që do të ruhet dhe përcillet brez pas brezi,” tha Kurti, duke shprehur ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve.