Naser Rafuna me mesazh prekës për ndarjen nga jeta të Enver Petrovcit

Naser Rafuna me mesazh prekës për ndarjen nga jeta të Enver Petrovcit

Kultura September 22, 2025 - 14:49

Ndarja nga jeta e aktorit dhe regjisorit të njohur Enver Petrovci ka prekur thellë artistët dhe publikun shqiptar.

Një ndër reagimet ka ardhur nga aktori Naser Rafuna, i cili ka ndarë në rrjetin social Facebook një mesazh për ish-profesorin e tij.

“U largua nga kjo botë për një tjetër më të mirë inshaAllah. Ne lutemi Zotit të të mëshirojë, sepse ti je ndarë nga kjo botë, por gjithnjë do të jesh në zemrat tona. I dashur për ne, me dhimbje të pafund, i mençur dhe i durueshëm, ti ke ndriçuar jetët tona me dritën e dijes dhe përvojës”, ka shkruar Rafuna.

Ai kujtoi me mirënjohje faktin se kishte përfunduar studimet Bachelor dhe Master nën udhëheqjen e Petrovcit në Universitetin e Prishtinës, duke qenë edhe asistent i tij për një periudhë.

“Çdo ditë, më mbajti pranë dritës së dijes. Me shumë mall dhe mirënjohje, mbajmë këtë borxh ndër zemra që s’u shlye kurrë”, shtoi ai.

Mesazhi i Rafunës përfundoi me fjalë falënderimi dhe një lamtumirë të dhimbshme: “Faleminderit për gjithçka, për çdo ditë, për çdo mësim, për çdo shenjë dashurie. U prehesh në paqe, derisa të takojmë sërish në dritën e përjetshme. Lamtumirë profesori im, mësuesi jonë Enver Petrovci”.

Ky reagim i sinqertë i Naser Rafunës pasqyron ndikimin e madh që Enver Petrovci pati jo vetëm në artin shqiptar, por edhe në formimin profesional e njerëzor të shumë aktorëve të rinj.