Vdes ikona e filmit, Enver Petrovci
Foto: Laura Hasani

Vdes ikona e filmit, Enver Petrovci

Kultura September 22, 2025 - 13:08

Në moshën 71-vjeçare ka vdekur aktori kosovar, Enver Petrovci.

Lajmi u bë i ditur nga Teatri Kombëtar i Kosovës, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, shkruan Zeri.info.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë për ndarjen nga jeta të aktorit dhe profesorit të shquar, Enver Petrovci. Teatri Kombëtar i Kosovës ua shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Petrovci, kolegëve, miqve dhe gjithë publikut, që e ka çmuar dhe e ka dashur veprën e tij artistike dhe pedagogjike. Informacionet lidhur me ceremoninë e varrimit dhe mbledhjen komemorative do të bëhen të ditura në ditët në vijim”, thuhet në njoftim.

Petrovci u lind më 28 shkurt të vitit 1954 në Prishtinë, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Ai mbaroi studimet për aktrim në Shkollën e Lartë Pedagogjike (1972) në Prishtinë. Në Beograd kreu në Fakultetin e Arteve Dramatike (1978).

Me shfaqjet “Mblesëria” dhe “Martesa” të A. P. Çehovit, si student, mori pjesë në të gjitha festivalet e ish-Jugosllavisë, si dhe në disa festivale ndërkombëtare. Pas diplomimit punoi në Teatrin Jugosllav të Dramës.

Në “Atele 212” luajti rolin kryesor në shfaqjen “Kurora e Kosançiçit”.

Pas kësaj shfaqjeje, në vitet ’80 u angazhua kryesisht në rolet kryesore teatrore. Me thellimin e krizës në ish-Jugosllavi, u largua nga Beogradi dhe në Prishtinë luajti shfaqjet “Konfiteori”, “Procesi” dhe “Nastasja Filipovna”.

Ndërkohë u angazhua në disa teatro të rëndësishme, si në Dubrovnik, në Suboticë, në Novi-Sad etj.

Në fillim të viteve ’90 u zgjodh ligjërues i aktrimit dhe i diksionit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

Në vitet 1990–1993 ishte themelues dhe drejtor i teatrit “Dodona” në Prishtinë. Pas largimit nga puna në teatrin “Dodona”, në vitin 1994 themeloi shkollën e parë private të aktrimit “Actor’s Studio” në Prishtinë.

Më vonë, në vitet e pasluftës, nga kjo studio themeloi Akademinë e Arteve dhe më pas shtëpinë teatrore “Teatri i Babës”.

Luajti një numër të madh rolesh teatrore dhe në dhjetëra filma, seriale dhe drama televizive, kryesisht në role kryesore.

Shfaqjet “Kush më ka faj që jam shqiptar” dhe “Të mallkuarit”, në të cilat ai është autor, regjisor dhe aktor, ishin shfaqjet e para që u realizuan në Teatrin “Dodona” dhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës menjëherë pas luftës në Kosovë.

Në mesin e roleve kryesore në filma dhe seriale televizive, do veçohej “Kur pranvera vonohet” (1980), “Dhimbja krenare” (1990) dhe “Rojat e mjegullës” (1988).

U shpërblye me shumë çmime si në festivalet teatrore më prestigjioze të ish-Jugosllavisë, ashtu edhe në ato në Kosovë, para dhe pas luftës (1999), prej të cilave do veçuar: çmimi i parë në Festivalin Mbarëkombëtar “Aleksandër Moisiu” Tiranë (1993), aktori më i mirë në Festivalin e Filmit Kosovar (2003 dhe 2004), aktori më i mirë protagonist në Festivalin e Teatrove të Kosovës (2007) dhe aktori më i mirë në Tirana International Film Festival (2010).

Krahas aktivitetit artistik, punoi edhe si pedagog në Degën e aktrimit të Fakultetit i Arteve të Universitetit të Prishtinës.