
Prishtina përuron muralin kushtuar Vjosa Berishës, nderohet themeluesja e PriFest-it
Komuna e Prishtinës përuroi muralin kushtuar Vjosa Berishës, themelueses së festivalit PriFest, në udhëkryqin e rrugëve “Garibaldi” dhe “Johan V. Hahn”.
Në ceremoninë përuruese mori pjesë edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili tha se Vjosa ka lënë gjurmë të thella në kulturën e qytetit dhe vazhdon të jetojë në zemrat tona.
“Kam nderin të jem këtu në qendër të Prishtinës, ku një prej sipërfaqes së kryeqytetit, njëri prej fasadave kryesore që shihet prej pikave të ndryshme, që tashmë ka një mural të mrekullueshëm të ikonës sonë, Vjosa Berishës, e cila me punën e saj ka lënë gjurmë të mëdha dhe të thella. Një prej punëve më të mëdha është PriFest.
Është ikonë dhe krijuese e cila ka krijuar dhe ka inspiruar gjenerata të tëra dhe e ka inspiruar edhe kjo punë sot që ka ndodhur dhe ka përfunduar. Një mural i mrekullueshëm. Organe Girl i Ermirës është një produkt i inspirimit të gjeneratave të reja që Vjosa ka lënë gjurmë. Është në zemër të Prishtinës, është vetë zemra e Prishtinës, është inspirim i qytetit tonë dhe vazhdon të jetojë me ne në zemrat tona sa do që të jetë Prishtinë”, tha Rama.
Muralin e realizoi artistja Ermira, e cila e përshkroi veprën si simbol të përhershëm të frymëzimit që Vjosa ka dhënë për gjeneratat e reja.
“Kam emocione të përziera. Jam e lumtur që do të qëndrojë tani në mënyrë permanente simboli i saj dhe i gjithë angazhimi i saj. Njëkohësisht, do të jetë inspirim për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që një grua si Vjosa të jetë inspirim për të për çdo rrugëtim”, shtoi ajo.
Ndërsa, Fatos Berisha, në emër të familjes, falënderoi artisten për këtë nderim.
“Dua ta falënderoj artisten në emër të familjes për këtë vepër artistike në kujtim të Vjosës. Tani e kemi më afër festivalit, ku ajo e ka udhëhequr”, tha Berisha.
Nëna e Vjosa Berishës, Hysnie Istrefi, me emocione u shpreh se Vjosa ende jeton në kujtesën dhe zemrat e njerëzve.
“Nuk jam e përgatitur, por çdo nënë mendon që fëmija i saj është më i miri në botë, por për Vjosën po e shoh që ende jeton. Më vjen keq, Vjosa ka qenë me të vërtetë energjike, e fjalës, e punës. Tani po e shoh që Vjosa ka qenë e paparë”, tha ajo.