Rritet numri i turistëve që vizitojnë Gjirokastrën

Rritet numri i turistëve që vizitojnë Gjirokastrën

Kultura September 10, 2025 - 17:05

Muajt shtator dhe tetor për qytetin e Gjirokastrës janë konsideruar të suksesshëm sa i përket vizitueshmërisë nga turistët.

Sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë, Maksim Hoxha, me përfundimin e sezonit të plazhit, për Gjirokastrën ka nisur pothuajse një sezon i ri turistik.

Në këtë periudhë mbizotërojnë turistët izraelitë, spanjollë dhe nga vende të tjera europiane, të cilët zgjedhin të vizitojnë qytetin muze dhe zonat përreth.

“Shtator-tetori është kulmi i sezonit. Ndërkohë që deti është mbase nga fundi ose javët e fundit, ne futemi në sezonin e dytë. Pjesa e parë e sezonit, prill-maj-qershor, kanë dominuar francezët, gjermanët, anglezët. Tani në muajt e korrik-gushtit filluan izraelitet e spanjollët,” tregon z. Hoxha.

Gjithashtu, për të pasur një zhvillim më të mirë të këtij sektori, kërkohet edhe mbështetje nga shteti për subvencionimin e punonjësve gjatë muajve të dimrit.

“Një zhvillim i qëndrueshëm i turizmit do patjetër një subvencionim nga ana e shtetit për punonjësit në sektorin e turizmit për muajt jashtë sezonit turistik. Kjo duhet urgjente, mbasi janë gjashtë muaj shumë të frikshëm,” thekson kryetari i Dhomës së Tregtisë për Gjirokastrën.

Turizmi mbetet një prej sektorëve kryesorë të ekonomisë së Gjirokastrës, duke sjellë të ardhura të rëndësishme për komunitetin dhe duke u kthyer në motor të zhvillimit të qytetit edhe përtej sezonit veror./rtsh